Shqipëri
18 shkurt: Opozita në Shqipëri e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë filloi një protestë në Tiranë, protestë kjo cila vazhdoi për 3 muaj në çadrën e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare.
28 prill: Ilir Meta, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministër i vendit, zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë president i shtetit, pas disa raundesh votimi të dështuara në seancat parlamentare. Meta i cili zëvendësoi në këtë post ish-presidentin Bujar Nishani, zyrtarisht e mori detyrën për mandatin 5-vjeçar presidencial më 24 korrik.
18 maj: Pas negociatave të realizuara mes kryeministrit të Shqipërisë, i cili është edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të opozitës, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u zyrtarizua marrëveshja Rama-Basha, që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare jo në datën e dekretuar fillimisht më 18 qershor, por më 25 qershor.
14 qershor: Gianni De Biasi, zyrtarizoi largimin e tij nga drejtimi i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, ndërsa në vend të tij Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi në këtë detyrë më 14 korrik Christian Panuccin.
25 qershor: Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet duke siguruar 70 deputetë, Partia Demokratike 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate 1 mandat.
26 gusht: Në Durrës u mbajt takimi joformal i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili kishte për qëllim thellimin e integrimit rajonal me theks të veçantë në ekonomi dhe tregti.
9 shtator: Gramoz Ruçi, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
13 shtator: Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama merr votëbesimin e deputetëve për mandatin e dytë qeverisës.
16 shtator: Në Tiranë u mbajt takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës, ku i pranishëm është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.
19 tetor: Prokuroria për Krime të Rënda e Shqipërisë i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa më 25 tetor Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën
27 nëntor: Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e katërt të përbashkët në qytetin e Korçës, ndërsa në përfundim të saj u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi.
1-2 dhjetor: Shqipëria u përfshi nga moti i keq, me reshje të dendura të shiut në disa qytete të vendit, nduke shkaktuar përmbytje, ku si pasojë u evakuuan qindra persona.
15 dhjetor: Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë mbajtur takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në Pogradec të Shqipërisë.