Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 janar – Si rrallë ndonjë vit tjetër nga pavarësimi i Maqedonisë, 2017-a u kaloi shqiptarëve pa ndikim politik në institucionin e Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës. Me gjysmë viti ministër në largim, siç ishte rasti i Pishtar Lutfiut dhe gjysma tjetër pa ose me zëvendësministra që assesi të ushtrojnë si duhet postin e tyre, nga ‘91-shi e këndej, shqiptarët zor se mund të kenë një vit tjetër si ky që shkoi, me zero influencë në krijimin e politikave arsimore, shkruan gazeta KOHA. Deri në ardhjen e ministres aktuale Renata Deskovska, paraardhësi i tij Pishtar Lutfiu edhe po të kishte në dorë – nuk mund të ushtonte asnjë pushtet ministri për shkak të gjashtë muajve vakum që krijoi periudha e stërzgjatur e rotacionit të pushtetit.
Lutfiu ishte thjeshtë një ministër formal, i cili mezi priste të bëjë dorëzimin e postit edhe ashtu të sikletshëm. MASH-i është njëri prej dikastereve më të rënda sa i përket llojllojshmërisë së problemeve reale e që për më tepër se kaq – prekin grupe të gjëra njerëzish, pikëpamjesh, përkatësi etnike, sociale, gjinore dhe fetare. Të jesh në krye të atij institucioni dhe të mos mund ta drejtosh atë – është njësoj si të luftosh me mullinjtë e erës. Por, fatkeqësisht aventura shqiptare e politikave të arsimit në 2017 nuk përfundoi me kaq.
“OUT” NË MOMENTE VENDIMTARE
Shqiptarët nuk arritën të bëhen pjesë e MASH-it as nga pozicioni i zëvendësministrit të Arsimit. Në fund të dhjetorit, nga partia në pushtet – BDI, u kumtua emri i Arbër Ademit si zëvendësministër i Arsimit, ndërsa paraardhësi i tij Visar Ganiu nuk i bëri as tre javë të plota në këtë post. Tamam sa duhej të fillonte punën si zëvendësministër, Ganiun e caktuan kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, ku edhe është aktualisht. E paralelisht plogështisë për pushtet në nivele të larta, brenda institucionit të MASH-it veçmë ishte rrënuar fuqia e ndikimit të kuadrove shqiptare në nivele sektorësh apo njësi drejtuese. Fatkeqësisht, gjithë kjo apati vjen në një kohë kur MASH-i edhe zyrtarisht kishte shpallur fillimin e proceseve të “reformave të madha”, kur nisi të sillen vendime të rëndësishëm si ai për ndërprerjen e vlerësimit ekstern të nxënësve, kur ndërpritet kontrata për botimin e teksteve shkollore nga një qendër e posaçme e Universitetit të Kembrixhit, kur përgatitet Propozim-ligj për arsimin e lartë, kur përpilohet Strategjia Gjithëpërfshirëse Arsimore (2018-2025), kur përgatitet Buxheti zhvillimor për arsimin dhe shkencën, kur tërhiqen nga përdorimi tekstet shkollore, kur paralajmërohen ndryshime të shumta, kur gjërat filluan të lëvizin në një drejtim të ri… E, mbi të gjitha – kur shkollimi në gjuhën shqipe ka njëmijenjë probleme të tjera.
Në këtë situatë të zhvillimeve që në mënyrë të drejtpërdrejtë tangojnë arsimin, shqiptarët mbetën krejtësisht jashtë proceseve të vendimmarrjes dhe krijimit të politikave se nga do të orientohen lëvizjet e MASH-it të paktën në katër vitet e ardhshme (aq sa presupozohet se mund të zgjat një mandat qeverisje). Nuk është rastësi që tërheqja e librave skandaloze nisi nga “bishti” dhe jo nga “koka”. Duke pasur në qarkullim dhjetëra tekste shkollore nga lënda e Historisë, Gjeografisë, Muzikës apo Artit, që me përmbajtjen e tyre stimulojnë gjuhën e urrejtjes etnike dhe nxisin qasjet separative ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera jo maqedonase, ministrja Deskovska zgjodhi të merr vendim për largimin e librit të lëndës së Kulturës Qytetare, pasi përmbajtja e mësimeve për familjen qenka shumë konzervatore. Pra, me motivacionin se libri nuk është gjithëpërfshirës, respektivisht se nga koncepti për familjen përjashtohen kategoria e të divorcuarve, bashkëjetesës apo martesave të së njëjtës gjini, ministrja e Arsimit solli vendim për largimin nga përdorimi të atij libri. Fyerjet dhe ofendimet e panumërta që u bëhen shqiptarëve në tekste të tjera shkollore nuk janë me rëndësi. Në 2017, Deskovska nuk pati kurajën të veprojë me këto libra njëlloj siç bëri me librin e lëndës së Kulturës Qytetare. Fundja, askush nuk ia kërkoi një gjë të këtillë. Shqiptarët kishin mbetur thjeshtë “jetimë” në institucionin e MASH-it. Edhe kur ishin fizikisht, nuk ishin prezent me fuqinë e pushtetit dhe seriozitetin që duhej ti karakterizonte nga niveli politik. Shqiptarët në 2017 ishin të vetëpërjashtuar nga të gjitha proces për reformimin e arsimit, ishin jashtë çdo vendimmarrje. Kjo aventurë dhe plogështi politike, s’ka dyshim që do të ketë edhe koston e vet.
NGA PLENUMI NË MINISTRI
Ndryshimet në arsimin e lartë do të jenë kryefjala e politikave arsimore në vitin 2018. Siç ishte premtuar që para ardhjes në pushtet të LSDM-së, partisë së kryeministrit Zoran Zaev, një prej veprimeve të para do të ishte ndryshimi i Ligjit për arsim të lartë. Kështu edhe ndodhi. Në fillim të dhjetorit, MASH bëri publike Propozim-ligjin përkatës të firmosur nga Renata Deskovska, një ish-plenumiste tanimë ministre e Arsimit dhe Shkencës,
Kthimi i autonomisë universitare dhe i lirisë akademike, apo çlirimi i universiteteve nga kthetrat e qeverisë, në të vërtetë ishte “Kali i betejës” në luftën politike për ardhjen në pushtet të LSDM-së. Që me konstituimin e Qeverisë në prill të 2017-ës, ishte e qartë se MASH-i do ti takonte kësaj partie dhe jorastësisht në krye të këtij dikasteri u emërua një profesoreshë e Universitetit “Kirili dhe Metodi” të Shkupit. Për më tepër se kaq, Deskovska kishte qenë pjesë e Plenumit të Profesorëve, atij Plenumi që në periudhën e viteve 2014-2015, në bashkëveprim me Plenumin e Studentëve, i dhanë Qeverisë së kaluar goditjen më të rëndë akademike. Përmes organizimit të protestave dhe lëvizje tjera masive, ata shënjestruan fytyrën diktatoriale të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe me këtë – i trasuan rrugën e sigurt. Sidoqoftë, sa të kujtohen shqiptarët të marrin në dorë pushtetin e caktuar paraprakisht me qeverisjen LSDM-BDI (nga pozita e zëvendësministrit), gjërat kanë rrjedhur ashtu siç janë nis pa pjesëmarrjen e tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në vend që të bëheshin edhe ata krijues të politikave arsimore, strategjive dhe ligjeve, do të duhet të merren me korrigjimin e gjërave që mund të mos u pëlqejnë. Do të merren me pasojat dhe jo shkakun, si gjithmonë.
Problemet me shkollimin në gjuhën shqipe, pa përjashtuar edhe arsimin e nivelit të lartë janë të shumta. Kështu, për shembull, në Buxhetin e MASH-it për vitin 2018 mungojnë milionat e premtuara për ndërtimin e Universitetit “Nënën Tereza” në Shkup, apo nuk janë në atë sasi siç ishte premtuar se do të ndahen për këtë vit. Ishte deklaruar disa herë se për ndërtimin e kampusit universitar të UNT-së në Shkup – gjatë tre viteve të ardhshme do të ndahen rreth 21 milionë euro apo për afërsisht nga 7 milionë secilin vit. Mirëpo, për UNT-në me Buxhetin e 2018-ës parashihet të ndahen në total rreth 4.700.000 euro, duke përfshirë në këtë zë të gjitha shpenzimet e nevojshme, si rroga dhe kontributet e të punësuarve, mirëmbajtje, blerje të pajisjeve dhe mobileve të nevojshme apo edhe për shpenzimeve të tjera. Pra, nga ai buxhet duhet të ndahen edhe mjete për ndërtimin e kapustit universitar e për të cilin nuk do të ketë 7 milionë euro sikurse ishte premtuar, por vetëm 3 milionë e 240 mijë euro, ose 200 milionë denarë.
Nga ana tjetër buxhete të veçanta në vlerën e 3 milionë e 240 mijë eurove (200 milionë denarë) janë ndarë për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objekteve për UKM-së, konkretisht për objektet e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike si dhe për Fakultetin e Kulturës Fizike. Këta mjete, pra i janë ndarë UKM-së, përveç 22 milionë eurove të tjera që janë planifikuar ti shkojnë universitetit për shpenzime të tjera të nevojshme. Të llogaritura në total, UKM merr pjesë me mbi 25 milionë euro në buxhetin e përgjithshëm të arsimit të latë, që për vitin 2018 do të jetë rreth 340 milionë euro.
UKM vazhdon të mbajë tiparin e institucionit të arsimit të lartë me buxhetit më të madh në Maqedoni, duke lënë shumë prapa universitet tjera publike, si ai i Tetovës, Manastirit, Shtipit dhe Ohër. Në bazë të planifikimeve nga buxheti bazë, për Universitetin e Tetovës do të ndahen 5 milionë e 372 mijë euro dhe që është dukshëm më pak se buxheti i njëjtë i një viti më parë. Me buxhetin e 2017-ës, për këtë universitet (më të madhin në gjuhën shqipe) ishin planifikuar mbi 6 milionë euro. Edhe në 2018-ën, pjesa dërmuese e financimit nga shteti shkojnë për rroga dhe kontribute. Për shpenzimet tjera, universiteteve u duhet të “prodhojnë” të hyra nga buxhetet vetanake, donacionet apo nga inkuadrimi nëpër projekte. (koha.mk)