Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 mars – Rreth 200 mijë të punësuarve në Maqedoni nuk u paguhen kontribute pensionale, edhe pse llogariten si të punësuar. Sipas anketës për fuqinë punëtore në Maqedoni, që realizohet nga ana e Entit të Statistikës, në vend janë të punësuar 723.550 punëtorë, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, sipas Fondit për Sigurim Pensional, numri i të punësuarve për cilët paguhen kontributet, është 509.844, ndërsa përreth 50 mijë qytetarë, për shkaqe të ndryshme, nuk paguhet kontributet, por megjithatë ata janë të evidentuar si të siguruar. Andaj numri i përgjithshëm i qytetarëve që janë të siguruar është rreth 560 mijë. Kjo, me fjalë të tjera, nënkupton se për 213.706 të punësuar në shtet nuk paguhen kontributet shoqërore. Edhe në vitet paraprake në Maqedoni është regjistruar dallim i madh midis të punësuarve që i llogarit statistika zyrtare në raport me të dhënat e Fondit Pensional për numrin e të siguruarve. Në vitin 2013, në Maqedoni ka pasur 657.849 të punësuar, ndërsa sipas raportit të Fondit pensional për vitin 2012 ka pasur shumë më pak, gjegjësisht 481.077 persona të punësuar që kanë paguar kontribute sociale. Kjo do të thotë se edhe para katër vitesh, rreth 200 mijë persona përkundër asaj se janë llogaritur si të punësuar, nuk kanë paguar sigurime pensionale. Ekonomistët dhe njohësit e statistikës, shpjegojnë se dallimi kaq i madh midis të punësuarve që evidentohen nga ana e Statistikës zyrtare dhe atyre që i evidenton Fondi Pensional, rrjedh nga një numër i madh i personave të angazhuar në ekonominë informale si dhe metodologjisë evropiane që e zbaton Enti vendor i statistikës, sipas së cilës edhe një angazhim i përkohshëm prej vetëm disa ditë në muaj llogaritet si angazhim pune.
Sipas analistit ekonomik, Rudi Lazarevski, të gjithë ata që llogariten si të punësuar, ndërsa nuk janë të regjistruar si të siguruar në Fondin Pensional, janë të angazhuar në zonën informale. “Sipas institucioneve shtetërore, Maqedonia ka ndërmjet 560 mijë dhe 720 mijë të punësuar. Besoj se shifrat e sakta ofrohen nga ana e Fondit Shtetëror Pensional për shkak se nëse jeni zyrtarisht të punësuar, atëherë duhet të jeni të regjistruar në këtë institucion. Pra, numri i tërësishëm i fuqisë punëtore është rreth 560 mijë, ndërsa çdo gjë mbi këtë numër mund të klasifikohet si numër gri i të punësuarve“, thekson për KOHA, Lllazarevski. Nga ana tjetër, ekspertët e statistikës thonë se Enti i Statistikës në Maqedoni, në punën e tij përdor metodologjinë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, sipas së cilës, për të punësuar llogariten të gjithë ata që punojnë së paku një orë në ditë. Kjo do të thotë se nëse muajin e kaluar keni punuar për mëditje për katër ditë apo për 32 orë me para të gatshme në dorë, kjo do të thotë se statistika ju llogarit si të punësuar, edhe pse 27 ditët e mbetura të muajit keni kërkuar punë ose keni shikuar televizion në shtëpi. Gjithashtu si të punësuar llogariten edhe ata që kanë punuar në fermën e tyre bujqësore ose anëtarë e familjes që kanë ndihmuar në punët bujqësore. Gjithashtu, një metodologji e tillë ndërkombëtare përdoret në të gjitha shtetet e botës, por rrallë kund në Evropë papunësia joformale është aq e lartë me gati 30 për qind, siç është në Maqedoni. Ekzistencën e numrit të madh të personave që punojnë në ekonomi, para dy vitesh e kanë konfirmuar edhe nga ana e Lidhjes së Sindikatave. Sipas tyre, punësimi joformal merr pjesë me më shumë se 22.5 për qind në të gjithë punësimit në shtet, ku vlerësohet se 58.811 nga gjithsej 271.307 gra të punësuar dhe 93.993 nga 407.531 burra të punësuar, gjegjësisht mbi 150 mijë punëtorë janë të angazhuar në ekonominë informale. Në ndërkohë, analizat tregojnë se puna e paparaqitur në Maqedoni, më së shumti është prezent në bujqësi, ndërtimtari, transport, hoteleri, tregti dhe shërbime, ndërsa meshkujt ka më shumë gjasa të inkuadrohen në punën në të zezë se sa femrat. Gjithashtu, në punën e paparaqitur bëjnë pjesë edhe kategoritë e studentëve dhe pensionistëve, puna sezonale, me orar të plotë dhe jo të plotë etj. Ndryshe, vlerësohet se dhe shkalla mjaft e lartë e papunësisë për një kohë të gjatë imponon që mjaft të papunë të angazhohen në ndonjë aktivitet të fshehur, me qëllim që të realizojnë së paku një nivel minimal të ekzistencës, andaj edhe shteti për të zbutur varfërinë dhe jobarazitë sociale, toleron pjesërisht ekonominë informale në shtet. Një praktikë të tillë nuk e përdor vetëm Maqedonia, por edhe shtetet më të zhvilluara ekonomike të Evropës tolerojnë një nivel të caktuar të ekonomisë informale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara