Një peticion i firmosur nga rreth 200 mijë njerëz, më saktësisht 192.550 vetë, kanë kërkuar që ndeshja mes Anglisë dhe Kolumbisë, e vlefshme për 1/8-t e finaleve të “Rusi 2018”, të përsëritet. Tifozët e Kolumbisë, që kanë marrë iniciativën e tij peticioni, janë “tërbuar” nga gjykimi i amerikanit Greiger, që sipas tyre akordoi një penallti të paqenë në favor të “luanëve” dhe të shndërruar në gol nga Harry Kin, në ndeshjen e mbyllur 1-1, ku Anglia u kualifikua me penallti. Gjithashtu, kolumbianët pretendojnë se në kohën shtesë iu anulua me të padrejtë një gol i Karlos Baka. 192 mijë njerëz firmosën peticionin e dërguar te FIFA për përsëritjen e ndeshjes, por mundësia që kjo të ndodhë është 0 për qind. Anglia do të luajë me Suedinë në çerekfinalet e “Rusi 2018”, ndërsa Kolumbia është kthyer në atdhe.