Në vitin 2000 filloi ndërtimi i shkollës së re në fshatin Sellcë të Tetovës, por ajo shkollë tashmë është amortizuar si pasojë e erozionit të tokës dhe mospërfundimit të punëve, ndërsa objekti ka ngelur në gjysmë të ndërtimit dhe tashmë nuk shërben për asgjë, edhe pse ka kushtuar rreth 400 mijë euro
Urim HASIPI
Tetovë, 7 prill – Filloi të ndërtohet në vitin 2000 dhe punimet u ndërprenë me fillimin e konfliktit të armatosur në vitin 2001. Mirëpo, pas 13 vitesh respektivisht në vitin 2013 u konstatua se për shkak të erozionit, objekti i ri për shkollë në fshatin Sellcë të Komunës së Tetovës nuk mund të vazhdohet të ndërtohet. Kanë kaluar 20 vite që kur banorët e këtij fshati presin që të ndërtohet një objekt i ri ku do të mësojnë fëmijët e tyre, por premtimet e njëpasnjëshme kurrë nuk u bënë realitet. Pasi që objekti që kishte filluar të ndërtohet, ishte lënë përgjysmë, ndërsa ishte konstatuar se toka është erozive dhe nuk mund të vazhdohet me punë, autoritetet e Komunës së Tetovës në bashkëpunim me banorët e këtij fshati disa vite më pas kanë caktuar një lokacion për objekt të ri shkollor, shkruan gazeta KOHA.
“Nga ana e Bashkësisë Lokale u përcaktua një vend ku do të mund të ndërtohet një shkollë e re dhe u bënë matjet gjeologjike të tokës, dhe për fat të keq edhe ai vend ishte i njëjtë, pra kishte rrëshqitje të dheut. Tashmë është përzgjedhur një lokacion tjetër dhe projekti është gati, ndërsa për investime kapitale është e obliguar Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, tha kohë më parë për gazetën Koha, Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Në këtë vijë kanë qenë edhe deklaratat e fundit të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ka thënë se është siguruar leja e nevojshme për ndërtimin e kësaj shkolle. Objekti i vjetër i shkollës fillore Rilindja në fshatin Sellcë, është ndërtuar në vitin 1952. Në kuadër të kësaj shkolle funksionojnë edhe dy shkolla periferike, njëra në Llacë dhe tjetra në Vicë. Nga Sektori për Arsim në Tetovë thonë se kanë përmirësuar kushtet në objektin e vjetër të shkollës. Ata bëjnë të ditur se kryesisht është punuar në inventarin e brendshëm. “Pikërisht për shkak se nuk mund të gjendej një lokacion i ri për shkollë të re, ne në të kaluarën jemi fokusuar në ndryshimin e kushteve në objektin ekzistues, pasi që objekti është shumë i vjetër, mirëpo dukshëm janë përmirësuar kushtet e punës në këtë objekt shkollor , thonë nga ky sektor.
Tashmë, në këtë kohë kur të gjitha projektet janë pezulluar, me gjasë edhe fillimi i ndërtimit të shkollës së re në Sellcë do të zgjasë shumë, dhe banorët do të duhet ende të presin që fëmijët e tyre të mësojnë në shkollë të re. Autoritetet e Komunës por edhe ato të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nuk kanë dhënë afat se kur do të mund të fillojnë punët dhe sa do të kushtojë ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Sellcë. Po ashtu, ende nuk ka informacione se deri ku ka arritur procesi i revizionit për objektin e filluar rreth vitit 2000, për ndërtimin e së cilit ishin ndarë rreth 400 mijë euro nga shteti. Ky objekt edhe sot e kësaj dite është në fazën karabinë, por në atë objekt nuk do të vazhdojnë punimet për shkak të shembjes së dheut. (koha.mk)