Shkup, 12 gusht – 19 vite më parë banorët e Lubotenit u zgjuan nga zhurma e krismave të armëve dhe brutalitetit forcave të sigurissë maqedonase që atë ditë bën kërdinë në këtë fshat duke marrë jetën e 10 personave të pafajshme përfshirë edhe 6-vjeçarin Erxhan Aliu.
Lubotenasit akoma i kanë të freskëta kujtimet e atij 12 gushti. Mevludin Bajrami para 19 viteve ishte 14 vjeç, por as kjo moshë e njomë nuk i ndali forcat e policisë ta keqtrajtojnë në mënyre çnjerëzore dhe ta burgosin. e megjithë torturën, mevludini ishte me fat. Ai mbeti gjallë. Dy vëllezërit e tij ju vranë.
“Na kanë malltretu në mënyrë çnjerëzore, një njeri normal nuk e bën atë tortur, atë keqtrajtim. Na kanë keqtrajtuar si kafshë. Dhe në atë moment në hyrje të fshatit Lubanc ne kemi qenë pa vetëdije. Kjo nuk harrohet asnjëherë jo vetëm unë por gjithë fshati nuk e harron. Kjo ishte një ditë që mund të them ishte Reçaku i dytë.”, tha Mevludin Bajrami, familjar i viktimave.
“Na kemi qenë në shtëpitë tona, në pragun tonë. Urojmë që aksujt mos ti ndodhë dhe ne nuk jemi popull që sulmojmë të tjerët.”, tha banor i fshatit Luboten.
Banorët dhe SHVL-UCK- përkujtuan viktimat e 12 gushtit me homazhe në varrezat e të masakruarve.
“Këtu ishin të gjithë qytetarë të thjeshtë, që jetonin me hallet e tyre, gjitha provat i bënë duke i grumbulluar burra, fëmijë, të rinjë dhe duke I burgosur në anën e Shkupit që provuan gjitha format çnjerëzore për ti nënshtruar, ky vend nuk u nënshtrua.”, tha Fazli Veliu, kryetar i SHVL-UÇK.
Nga operacioni policor i asaj kohe u vranë Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili si dhe Erxhan Aliu 6 vjeçar. Gjatë asaj kohe në Luboten u dogjën edhe 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Për këto krime ndaj civilëve, Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte në Hagë dënoi me 12 vjet burg ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovskin.