19 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, njerëz rreth meje vazhdimishtikin, duan të ikin, jo sepse është apo nuk është e duhura Marrëveshja e Ohrit, por sepse ashtu siç është nuk zgjedh më të mirin mes nesh në postin e duhur. Nuk jep shpresë. Këtë e krijojnë vetë ata postembajtës që veç pangopësinë kanë prioritet. Shikoni shkollat, shikoni spitalet, shikoni rrugët, shikoni ndërtimet, shikoni krimin, shikoni politikën, shikoni politikanët, shikoni veten, a jemi aty ku duhej pas 19 vjetësh? Përgjigjen e japin ikjet
Nga Nazim RASHIDI
Mbrëmë, në një darkë të vonë vere, në ballkonin e miqve të afërt, diskutonim për të organizuar një festë. Një festë, që s’dinim si t’ia vëmë emrin. As lamtumire, mbase festë për mirupafshim, ose më mirë një festë që do të shënonte një sukses. Po. Një festë suksesi, por që kishte ikjen pjesë. Jo jo, nuk është festa e pjesës së vitit për miqtë tanë që jetojnë jashtë, kur pas përfundimit të pushimeve ndahemi me mall, deri verën tjetër. Këtë vit për shkak të situatës me pandeminë dhe Kovid 19 s’do ketë një festë të tillë, sepse ata nuk erdhën fare.
Mbase edhe mungesa e kësaj feste na shtyn të bëjmë një tjetër, në fund të verës, por për një miken tonë, e cila si miqtë tanë, si familjarët e shumtë do të lërë vendin, bashkë me fëmijët.
E thashë, është një festë suksesi, për një punësim shumë të mirë, në një prej qendrave më të rëndësishme të Evropës, e arritur vetë, në konkurs të hapur.
Sigurisht këto raste të gëzojnë, sepse janë dëshmi se edhe njerëzit tanë vlejnë dhe vlerësohen, aq më shumë kur suksesi vjen i merituar. Por ka dhe një pikëllim sepse edhe një njeri i mirë i yni, edhe një familje do ikë, edhe një çift do t’i shtohet festës tonë në fund të verës, kur do të bëhet, vitin tjetër, me të dashurit tanë, që jetojnë jashtë e që vijnë për një pushim edhe këtu.
Zemrat tona janë mal, për arritjet, sidmos për miqtë, sepse sigurisht ndjekja e lumturisë, është esenciale për të gjithë. Por a do duhej të ndiqej jashtë vendit? A duhet jeta, liria, ndjekja e lumturisë, suksesi të ndodhte vetëm duke ikur, diku në Perëndim?
Këto pyetje janë edhe më të mëdha se gëzim/pikëllimi i rastit individual për miken tonë, për suksesin/ largimin e saj. Por ky rast më bën të mendoj thellësisht se kur një çift, me jetë të etabluar, merr hapat e ikjes, këtu ka humbur shpresa se mund të ndiqet lumturia.
Kur e shkruaj këtë tekst, është 13 gushti. Përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit, themeli i asaj që duhej të ishte “ndjekja e lumturisë” për ne në Maqedoninë e Veriut. Fundamentale është lumturia, por lidhet shumë me politikën ama. Me gjithçka që ajo ndërmerr për të krijuar kushte që secili të ndihet i lirë të ndjekë këtë lumturi. Kjo kategori që duket aq jashtë normativave, ligjeve apo dhe vetë politikës në fakt është baza e “ëndrrës amerikane” dhe e vë atë në zemrën e politikës së saj.
Në deklaratën e pavarësisë së SHBA-ve “Ndjekja e lumturisë” është e përcaktuar si e drejtë themelore, që nënkupton se secili lirshëm duhet të ndjekë lumturinë dhe t’i gëzohet jetës në mënyrë siç ai vetë e di, sigurisht padëmtuar të tjerët. Fraza e saktë në deklaratën e pavarësisë përfshin këto fjalë: “Jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë” që konsiderohen të drejta të pa kontestueshme dhe të cilat nuk mund të kufizohen me asnjë normë, ligj a kushtetutë. Thomas Jefferson, që e ka shkruar këtë fjali sigurisht e ka menduar për SHBA-në dhe territorin e saj, por megjithatë e ka futur edhe në esencën e politikës dhe politikbërjes.
Tani, në kontekstet e kohës sonë, kërkimi, ndjekja e lumturisë, kur kërkohet jashtë, kur ikjet ndodhin çdo ditë e më shumë, shtrohet çështja a ka dështuar politika? A ka dështuar Marrëveshja e Ohrit, që do sillte lirinë tek ne, e si rrjedhojë të lirë do ndiqnim jetën e cila duhej të sillte lumturinë?
Facebook-u në pjesën që mban mend statuse dhe foto të publikuara ndër vite, më nxori këto rreshta që kam shkruar për Marrëveshjen e Ohrit, disa vite më parë:
“Marrëveshja që ishte moment kthese për Maqedoninë, duhet të çlirohet nga “korniza”. ‘Korniza’ demagogjike e lodhshme dhe ‘korniza’ si platformë për përfitime banale partiake. Vetëm atëherë mund të jetë marrëveshja që do të sjellën dryshime reale!”, kjo e thënë në vitin 2015. Dhe tjetrën: “Moszbatimi i Marrëveshjes se Ohrit nuk duhet të ngatërrohet me rëndësinë që ka, sidomos në kontekstin që u soll. Problemi me të është se i vihen ‘korniza’ dhe nuk u la të frymojë dhe zhvillohet.”, kjo e thënë në 2016.
Nuk dua t’i hyj interpretimeve tani, nëse duhej ose jo ajo Marrëveshje, nëse mund të ishte më e mirë ose jo, apo nëse është zbatuar ose jo. Të vërtetën do ta gjejmë diku në mes. Por ashtu siç e kam shkruar vite më parë, ashtu mendoj dhe sot, Marrëveshja e Ohrit do të arrihej se s’bën, sepse presioni ndërkombëtar në atë moment s’mund të evitohej. Pak ditë më shumë negociata do sillnin formulime më të qarta, por marrëveshja krijoi një kontekst të paimagjinueshëm për aksesin e shqiptarëve në shtet, por parë nga sot nuk arriti të jetë baza e zhvillimit të madh ku të çlironte një herë maqedonasit nga mendësia e tyre suprimaciste dhe nuk mundi të çlirojë shqiptarët nga mendësitë partiake për të arritur të mirën e përgjithshme, që pastaj të barabartë e të lirë kush do të ndiqte e të rendte drejt lumturisë së vetë. Nuk jam nga ata që mohoj rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, por as nga ata që them se veç e tillë mund të arrihej. Duhej dhe duhet parë si një shkallë që do na çojë më lartë drejt zhvillimit të përbashkët. Por sot 19 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001, për shkak të së cilës dolën ligje, ndërroi kushtetuta, ndërruan kufijtë e komunave, u krijuan mundësi punësimi në administratë, akses i paparë më herët në shtet etj. dua të përqendrohem tek pjesa jonë shqiptare në raport më marrëveshjen.
Thashë, në kontekst historik ajo do diskutohet ende nëse duhej dhe nëse ishte e duhura, por në përditshmëri, bazuar në ligjet që dolën prej saj, vetë politika e shndërroi në një “pronë” partiake, duke e shfaqur si kupë fitoreje personale e jo si arritje të përbashkët. Ku kur secila kur vinte në pushtet, lokal e qendror e përdorte jo fuqishëm për të mirën e përgjithshme, por për atë të partisë e partiakëve. Sot 19 vjet më pas, dihet se cila parti ka pasur më shumë pushtet, mos ketë dilemë për këtë, por vlen dhe për të tjerat se është mendësi që duhet shembur, ku pushteti dhe arritjet ndahen veç për vete e të tjerët ndëshkohen se janë me partinë tjetër. Shqiptari ende ka ndjesinë se jo më të mirët ndër ne mund të përparojnë, jo më të mirët ndër ne janë në postet e duhura, jo më të mirët ndër ne kanë mundësi të ndjekin lirshëm atë lumtri të lirë. Këto s’duhej të ishin “arritjet” e marrëveshjes. Dhe liria nuk është vetëm të ankohesh dhe të shprehësh pakënaqësinë, liria do të thotë të arrish sukseset e tua, të kontribuosh dhe të vlerësohesh, edhe nëse je “kundërshtari” që në fund mos të kesh dëshirë të ikësh. Çfarë lirie e arritje kemi kur shtysa e shoqërisë është si të gjejë një punë jashtë vendit? Kur nuk iknim se ishim të shtypur, e duam të ikim kur duhet të ketë aq barazi?
19 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, njerëz rreth meje vazhdimisht ikin, duan të ikin, jo sepse është apo nuk është e duhura Marrëveshja e Ohrit, por sepse ashtu siç është, nuk zgjedh më të mirin mes nesh në postin e duhur. Nuk jep shpresë. Këtë e krijojnë vetë ata postembajtës që veç pangopësinë kanë prioritet.
Shikoni shkollat, shikoni spitalet, shikoni rrugët, shikoni ndërtimet, shikoni krimin, shikoni politikën, shikoni politikanët, shikoni veten, a jemi aty ku duhej pas 19 vjetësh?
Përgjigjen e japin ikjet.
E mira e përgjithshme do të vazhdojë të jetë një koncept i dyzuar dhe i ndarë thellë, mes nesh, qytetarëve se si e duam vendin dhe shoqërinë, si e shohim ne atë dhe politikës dhe funksionarëve që interes një herë kanë partinë dhe postet dhe pangopësinë. Ky dyzim do të sjellë shtysën që lumturia të kërkohet gjetiu, dhe do të vazhdojmë të bëjmë festa për miq e mikesha që ikin, do të gëzojmë sukseset personale që arrihen jashtë, kurse ata që do mbesin këtu do vijojnë ankesat dhe të ëndërrojnë ikjen.
19 vjet më pas, faji është edhe tek ne vetë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)