Tronditet futbolli francez. Protagonisti i kësaj ngjarje tragjike është mbrojtësi i Reims Antoine Conte, i cili nuk ka asnjë lidhje me trajnerin italian. Fatkeqësisht 22 vjeçari, me origjinë nga Guinea, ish-lojtar i PSG, është bërë i famshëm për shkak të një episodi të dhunshëm dhe të pajustifikuar, për të cilin është dënuar menjëherë nga klubi i Ligue 2. Antoine Conte është arrestuar sepse ka goditur me një shkop bejsbolli një 19-vjeçar. I riu ka ndërhyrë për të për të shuar një sherr mes futbollistit dhe të dashurës së tij. Tani gjendet në spital në rrezik për jetën për shkak të një hemorragjie cerebrale. Conte mësohet të ketë pasur një sherr të dhunshëm në shtëpi me të dashurën e tij dhe kur ajo ka vendosur të largohet, futbollisti e ka ndjekur në rrugë me një shkop bejsbolli. Në këtë moment i riu, i cili po kalonte rastësisht aty, ka ndërhyrë për të qetësuar Conte-n, duke marrë si “shpërblim” një goditje në kokë. Gjendja e tij mbetet kritike. Klubi ka reaguar menjëherë me një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare në internet. “Reims është befasuar nga aktet e dhunshme të Antoine Conte dhe shpreh keqardhjen për të riun e plagosur dhe të fejuarën. Klubi i ndëshkon ashpër këto akte, që janë kundër vlerave që përfaqësojmë ne”. Reims ka shtuar më pas se “Conte do të duhet të përgjigjet për veprimet e tij” që, nëse provohen nga autoritetet, mund të çojnë te një “dënim shembullor”.