Mes të qeshurave, por edhe humorit të zi të kryeministrit Edi Rama, është mbajtur mbledhja e tetë me radhë mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në takimin e zhvilluar në njërin prej hoteleve të Prishtinës, u nënshkruan 19 marrëveshje në fushën e arsimit, bujqësisë, drejtësisë e infrastrukturës.
Heqja e kontrolleve kufitare gjatë muajve të verës, vikendeve dhe festave zyrtare, studimi për realizimin e sistemit të përbashkët doganor, lajmërimi në kohë reale për ndryshimet në gjendjen civile, janë disa prej marrëveshjeve të firmosura.
Në këtë mbledhje u prezantua edhe projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe Porti i Thatë në Kosovë.
Pas firmosjes së marrëveshjeve, në konferencën për media kryeministrat Kurti e Rama e vlerësuan lart bashkëpunimin mes dy vendeve.“Duke shtuar bashkëpunimin në fushën e arsimit, turizmit, me marrëveshjet që nënshkruajmë ruajmë marrëdhëniet tonë. Kur shënojmë ditën e refugjatëve nuk mund se si të mos jem falënderues ndaj Shqipërisë. Ne kuptojmë lehtësimin dhe mbështetjen që na ka ardhur nga vëllezërit e motrat dhe miqtë tanë. Kosova dhe Shqipëria kanë trend të bashkëpunimit tregtar. Sot importojmë nga Shqipëria më shumë se asnjëherë më parë. Projekti Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha”, tha Kurti.
E Rama tha se qeveritë aktuale kanë nivelin më të lartë të zbatueshmërisë së marrëveshjeve, përfshirë ato që janë nënshkruar vitet e kaluara.
“Kam lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye të bëjnë komente në mungesë të ecurisë së duhur të punës mes dy qeverive. Me qeverinë aktuale kemi më së shumti marrëveshje të nënshkruara. Unë jam i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës. Sot kemi nënshkruar projektin për portin e ri të Durrësit. Jo vetëm që nxit ekonominë e dy vendeve, por e vendos Shqipërinë në qendër të një graviteti rajonal dhe kthen Durrësin ndër portat më strategjike ekonomike”, tha Rama.
Pa ua kaluar pyetjet gazetarëve, Rama u çoi mesazh atyre që dyshojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Sapo nisi intonimi i himneve, qeni pushoi se lehuri…kur ne fokusohemi dhe puna vazhdon lehjet mbesin mbrapa sikur ajo shprehja popullore, qentë le të lehin karvani të shkojë përpara”, tha Rama.
Dy kryeministrat kanë shpërfaqur edhe në këtë takim dallimet rreth Nismës “Ballkani i Hapur”, në të cilën Kosova ka refuzuar të bashkohet.
“19 marrëveshje, memorandume e protokolle, është shumëfish më shumë sesa marrëveshjet e tjera që janë bërë në iniciativa rajonale”, tha Kurti.
Kurse Rama premtoi se çkado që jetësohet në “Ballkanin e Hapur”, do të nënshkruhet edhe me Kosovën. Por ironizoi kur u pyet për raportin e tij me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq.
Në fund të konferencës, Rama ironizoi lidhur me mundësinë që Kosova të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në Ballkanin e Hapur, siç vepruan Mali e Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Kurti nga Prishtina e vëzhgon edhe Kinën…” – tha Rama me ironi. (KOHA.net)