Më 7 shkurt 1964, “Fab Four” zbritën në aeroportin njujorkez të “JF Kenedy” dhe qëndrimi i “Beatles” në Amerikë ishte programuar vetëm 11 ditë, e para tyre asnjë grup pop, artist britanik nuk kishte pasur sukses në skenat muzikore të SHBA-së. Ky fakt i kishte frenuar edhe katër liverpulasit si dhe kur para një viti, katër disqe të tyre të publikuara nga shtëpitë diskografike të njohura në SHBA, nuk patën jehonë, ndërkohë që në të njëjtën kohë, “beatlesmania” ka përfshirë gjithë Europën.
Gjatë qëndrimit, nga menaxherë, atyre u është propozuar takimi me 22-vjeçarin, boksierin amerikan me emrin Kasius Klei (Muhamed Ali). Edhe për legjendën e boksit ishte hera e parë që takonte grupin ende të panjohur e pa famë në SHBA. Janë vetëm pak ditë para sfidës për kampion bote në peshën e rëndë dhe Klei po përgatitet për betejën me Sonny Liston. Bastexhinjtë e konsideronin humbës me koeficientin 1-7, e në këto rrethana, kishte ankth në stafin e tij.
Për pasojë, interesimi i medias ishte në maksimum. Ndërkohë “Beatles” shfaqen të kënaqur që do të takonin kampionin e boksit, të sigurt se ai takim do të krijonte jehonë. Ata patën shprehur dëshirën të vizitonin edhe Liston, por, ky nuk kishte treguar asnjë interes dhe nuk donte të humbiste kohë me grupin “rock” një javë para betejës. Ka qenë 18 shkurti i vitit 1964, kur “Fab Four” janë futur në mjediset e palestrës, në Majemi dhe fotografi Harry Benson ka fiksuar 15 fotot historike të të pestëve, ndërsa bënin shaka në ato pak minuta qëndrimi.
Në njërën është Klei që bën sikur po godet Xhorxh Herrison, në një tjetër ka marrë në krahë Ringo Starin dhe ajo më spektakolarja me pjesëtarët e grupit të gjithë të shtrirë KO në tokë. Ndeshja siç dihet u zhvillua më 25 shkurt në Majemi dhe u fitua nga Klei, për tërheqje te Listonit në raundin e shtatë duke e shpallur atë kampion bote. Vetë “Beatles”, takimin me Klein e kanë konsideruar si ndër momentet e rëndësishme që i dha një publicitet të madh grupit në të parin udhëtim në Amerikë.
Kjo e konfirmuar në gusht-shtator të atij viti, kur “Beatles” u rikthyen në Amerikë e Kanada, me një sukses të jashtëzakonshëm: 30 koncerte në 30 ditë! Ai turne është ndjekur nga 360 mijë spektatorë, duke krijuar të ashtuquajturën “British Invazion”.