Shkup, 13 gusht – Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Tito Petkovski për Radio Evropa e Lirë thotë se konflikti i armatosur më 2001, në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si luftë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai luftë e quan marrjen nën kontroll të territoreve, pikërisht në 18 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, transmeton gazeta KOHA.
“Nuk mund të thuhet se atë kohë luftohej për idenë për barazi për të gjithë qytetarët. Tani nga ky dimension, lufta e 2001 mund të trajtohet dhe si luftë për territore. Por, një gjë është e sigurt se konflikti i armatosur mund të mbyllej vetëm përmes një marrëveshjeje. Marrëveshjet paqësore paraqesin detyrime dhe obligime për të dyja palët. Në këtë rast, fraza se ‘ka fituar Maqedonia e Veriut me Marrëveshjen e Ohrit’ për mua është e papranueshme sepse në këtë rast ne kemi humbur shumë, mendoj edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Por, marrëveshja u arrit si rrjedhojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, që kishte interes që ta menaxhojë konfliktin ashtu siç e menaxhoi”, thotë Petkovski.
Marrëveshja e Ohrit, sipas tij, është realizuar plotësisht, ndërkohë pengesat që i bëhen jetësimit praktik të këtij dokumenti i quan si “fjalor i forcave nacionaliste që duan të fitojnë poenë politikë”, transmeton KOHA.
“Gjithmonë do të ketë kërkesa nga forca të caktuara politike nacionaliste, se gjoja janë të kërcënuar sepse kjo u sjell poenë politikë dhe ky proces mund të ndalet nëse ngritet vetëdija e qytetarëve dhe kuptojnë se Maqedonia e Veriut është shtet i barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Por, për këtë nevojiten parakushte të fuqishme sociale, ekonomike, që kanë ndikim të madje në zhvillimet politike”, thotë Petkovski.