Shkup, 8 shtator – Mbrëmë e hapi siparin edicioni i 15 me radhë i FNT Skupifestival Shkup, ndërsa shfaqja e parë ishte “+18” e teatrit të qytetit Hadi Shehu – Gjakovë. Nën protokollin për mbrojtje nga Covid-19, nisi edhe programi i festivalit me shfaqjen e parë – ndërsa mrekulluan aktorët Edi Kastrati, Bujar Ahmeti, Myrvete Kurtishi, Altina Kusari, Arbies Komoni, Vlora Dervishi, Yllka Lota, Vlera Pylla, Valon Pallaska, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edi Gjakova, Muradije Muriqi, Elida Shasivari.
Autorët e shfaqjes David Mamet dhe Arjan Krasniqi me regji të Qëndrim Rijanit, sollën përballjen e dy personazheve të cilët gjithë kohën përpiqen të gjejnë njëri-tjetrin dhe të bëhen një, ndërsa të njëjtit përfundojnë në botën e errët të jetës.
Sonte (e enjte) teatri Jollxhu nga Stambolli do të prezantohet me shfaqjen “Venusi në gëzof”, e vendosur në një atmosferë magjike, si një trillim e që tërheq vëmendjen finalja e tij e papritur. Aktorët hyjnë nga roli në rol duke luajtur personazhe nga më të ndryshmet. Me autorë David Ives, regji Ersin Umut Guler, skenografia Ozlem Kaja, muzika Tufan Dagtekin, interpretojnë aktorët turq Pervin Bagdat, Ersin Umut Guler.
“Venusi në gëzof” do të nis në ora 20:00, në hapsirat e Hanit Kurshumli Shkup. Siç dihet FNT Skupifestival ka edhe karakter garues, ku juria e përzgjedhur vendos për shfaqjen më të të festivalit. Në këtë edicion për shfaqjen më të mirë do të kujdesen juria e përbërë nga Taulanda Jupi regjisore dhe pedagoge në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë, Adelina Marku gazetare dhe kritike e teatri, si dhe Elmaze Nura, regjisore dhe pedagoge në fakultetin e arteve të skenike nga Prishtina.