Në ndërkohë, në rajonin e Gostivarit gjithsej janë rreth 11 mijë persona që shfrytëzojnë ndihmë për mbrojtje sociale
Urim HASIPI
Gostivar, 6 maj – Rreth 1700 prindër nga rajoni i Gostivarit kanë parashtruar kërkesa për të marrë mjete për fëmijën e tretë. Këto kërkesa janë parashtruar deri më 31 mars të këtij viti kur ishte edhe afati i fundit për aplikim. Kërkesat janë përpunuar nga ana e shërbimeve të Qendrës për punë sociale në Gostivar dhe pagesa tashmë ka filluar të realizohet për ata që i kanë plotësuar kushtet. Megjithatë,nga kjo qendër bëjnë të ditur se aplikimet mund të bëhen edhe gjatë tërë vitit por pagesa do të bëhet jo për tërë vitin por nga muaji kur është bërë aplikimi. Sipas Magdalena Savevska,drejtoreshë e Qendrës për punë sociale në Gostivar, aplikimi për shtesë për fëmijën e tretë dhe shtesa arsimore ka përfunduar më 31 mars dhe kanë arritur rreth 1700 kërkesa.
“Nga prindërit e rajonit të Gostivarit që kanë fëmijën e tretë në qendrën tonë kanë arritur 1700 kërkesa dhe shumica e tyre janë shqyrtuar dhe tashmë bëhet pagesa. Ata që kanë parashtruar kërkesa deri më 31 mars paratë do t’i marrin edhe për muajt janar, shkurt dhe mars. Ata që nuk parashtruan kërkesë deri në këtë afat, kanë mundësi të aplikojnë, por pagesa do të bëhet prej atij muaji që aplikuan dhe jo edhe për muajt paraprak” thotë Savevska. Me ndryshimet ligjore të kësaj qeverie, u vendos një limit i të të ardhurave për përfituesit e ndihmës për fëmijën e tretë, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se 14 mijë e 933 denarë në muaj. Kjo vlen për përfituesit e rinj të kësaj ndihme, kurse ata që kanë marrë ndihmë në vitet paraprake kjo rregull nuk vlen.
“Deri tash, secili që kishte fëmijë të tretë mund të aplikonte për të marrë mjete pa marrë parasysh se sa i kishte të hyrat mujore,kurse me ndryshimet ligjore të një vit e gjysmë më parë, kompensim mund të merr ai i cili nuk i tejkalon të ardhurat mujore mbi 14.933 denarë. Më herët nuk kishte asnjë limit për ata që kishin fëmijë të tretë që të marrin ndihmë, kurse tash kjo është në bazë të të ardhurave dhe ka një huti tek aplikuesit”, thotë Savevska. Ajo sqaron se shërbimet e tyre janë në dispozicion të qytetarëve për tu dhënë sqarime në këtë drejtim. Në ndërkohë në rajonin e Gostivarit gjithsej janë rreth 11 mijë persona që shfrytëzojnë ndihmë për mbrojtje sociale. (koha.mk)