Njësitë e Policisë së Kosovës, të FSK-së, Zjarrfikësve, KFOR-it e qytetarë vullnetarë kanë vazhduar edhe sot kërkimin e dy trupave të pjesëtarëve të Policisë, të cilët konsiderohen të zhdukur pasi ranë nga rruga magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit në rrjedhën e lumit Lepenc.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi tha për KALLXO.com se janë 170 persona që po marrin pjesë në kërkim të trupave të dy pjesëtarëve të Policisë.
“Hetimet dhe kërkimet për dy pjesëtarët e Policisë janë duke vazhduar. Kemi në terren 170 zyrtarë të agjencioneve të ndryshme dhe për çdo gjë do të njoftoheni me shkrim”, tha Gashi.
I pyetur nëse kanë gjetur ndonjë provë materiale në vendin e ngjarjes, Gashi nuk deshi të flasë me arsyetimin se nuk dëshiron t’i komentojë të dhënat e portaleve.