Urim HASIPI
Tetovë, 14 mars – Më 14 mars të vitit 2001 u dëgjuan krismat e para të armëve të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga Kalaja e Tetovës. Përderisa në sheshin e Tetovës studentët protestonin për legalizimin e universitetit të Tetovës, në të njëjtën koha filloi edhe lufta e vitit 2001.
Me moton “Pranvera e Dinjitetit”, çdo 14 mars në Kalanë e Qëndresës në fshatin Sellcë, përkujtohet fillimi i luftës në fshatrat e Malësisë së Tetovës. 17 vite më pas, në fshatin Sellcë të Tetovës u tubuan ish ushtarë, ish eprorë, familjarë të dëshmorëve, banorë të këtij fshati dhe funksionarë të partisë shqiptare në pushtet për të përkujtuar 14 marsin e vitit 2001. Ish Komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, sot zëvendëskryeministër Hazbi Lika edhe këtë vit u shpreh i pakënaqur me të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni.
“Sot pas 17 vitesh, arrimë të mbajmë gjallë frymën e vitit 2001, dhe sot po ashtu po arrimë të mbajmë gjallë frymën e ngjarjeve të vitit 2001, dhe ngjarjet të cilat kanë sjellë pas 17. Pranvera e Dinjitetit, pranvera e cila hapi sytë ngjalli zemrat e njerëzve për të marrë pushkët dhe për të sjell lirin që sot e gëzojmë ne”, tha Lika. Ai në fjalimin e tij, u ndal edhe tek ligji për gjuhën shqipe dhe shfaqi shpresë se i njëjti do të miratohet.
“Ky vend është, ka qenë dhe do të jetë i joni dhe për këtë vend do të luftojmë prapë derisa mos na kërcënojë asgjë në të ardhmen. Ligji i gjuhës, i cili me shumë vështirësi po arrin të gjejë përfundimisht miratimin e tij dhe shpresojmë që sot ai Ligj të miratohet dhe të gëzojnë shqiptarët gjeneratat e reja të flasin gjuhën e tyre dhe të shërbehen me gjuhën e tyre”, tha Lika. Për të nderuar këtë manifestim, i pranishëm ishte edhe Rafiz Haliti, i njohur me nofkën Mësuesi, Komandant i brigadës 115.
“Viti 2001 ishte një vit i madh për ne shqiptarët dhe jo rastësisht ky manifestim u pagëzua të mbahet në moton Pranvera e Dinjitetit. Lufta e 2001, djemtë që kapën në dorë pushkën ja kthyen dinjitetin e nëpërkëmbur kësaj popullatë në Maqedoni. Ata që protestojnë rrugëve kundër gjuhës shqipe për mua ata kanë qenë dhe ngelin shovinistë të cilët nuk ja duanë të mirën Maqedonisë. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni nuk rrezikon ardhmërinë këtij shteti përkundërti forcon stabilitetin”, tha Haliti. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se kombi shqiptar pas shumë sakrificash meriton të ketë lirinë. “Një komb, i cili është i gatshëm të luftojë për veten e vet dhe një komb i cili ka fuqinë që të bartë luftën mbi supe e veta që ka burra që luftojnë dhe gratë që i mbajnë shtëpitë dhe që sakrifikohen për to është një komb që ka merituar lirinë e vet”, tha Arifi.
Po ashtu, në kuadër të manifestimit të sotëm u vendosën lule në varrezat e dëshmorëve, ndërsa organizatorët e këtij manifestimi ishin përkujdesur që ky manifestim të ketë edhe program të pasur kulturo-artistik me këngë, valle dhe recitale kushtuar 14 marsit dhe luftës së vitit 2001. Pikërisht në luftimet e para më të vitit 2001 ra edhe dëshmori i parë Servet Ferati. Edhe pse lufta filloi në Kalanë e Tetovës megjithatë manifestimet tashmë disa vite me radhë mbahen në fshatin Sellcë të Tetovës. (koha.mk)