Deri dje në vend ishin të regjistruar 16231 raste aktive me Kovid-19, prej të cilëve numri më i madh – 9985 janë nga Shkupi. Në repartet infektive në vend po mjekohen 700 pacientë pozitivë apo të dyshuar me koronavirus, prej të cilëve 300 janë në Shkup, ndërsa ka rreth 560 shtretër të lirë spitalorë në kovid-qendrat.
Sipas të dhënave të publikuara dje të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar 403 raste të reja me kOVID-19 nga 2118 teste të bëra, prej të cilave 165 në Shkup, vdiqën 10 persona, ndërsa u shëruan 339 pacientë.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 88.389, numri i pacientëve të shëruar është 69.476, numri i të vdekurve është 2.682.
Nga e hëna, në poliklinikat e Shkupit, “Jane Sandanski”, “Bit Pazar” dhe “Draçevë”, pcientët do të mund të kryejnë teste laboratorike duke kontrolluar vlerat e D-dimerëve dhe CRP-së, të cilët janë të rëndësishëm në ndjekjen e gjendjes shëndetësore të pacientëve me kovid.
Prej Ministrisë së Shëndetësisë informuan se këto analiza janë të rëndësishme në monitorimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me Kovid-19. Në tre poliklinikat, siç theksuan ata, nga java e ardhshme do të ketë një plan të veçantë, njerëzit që duhet të bëjnë analizat e nevojshme laboratorike do të vijnë në termine që do të synojnë që ata të mos jenë në kontakt me pacientët e tjerë.
“Në këtë mënyrë, ne e bëjmë më të lehtë për mjekët amë dhe pacientët që të mos duhet të shkojnë në qendrat kovid dhe institucionet spitalore për të bërë analizat e nevojshme. Participimi për këtë shërbim shëndetësor do të paguhet në përputhje me listën e çmimeve për shërbimet shëndetësore të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, deklaroi drejtori i Shtëpisë Shëndetësore -Shkup, Viktor Isjanovski.
Në pritje të arritjes së vaksinave të para antikovid në vend dhe fillimit të vaksinimit të popullatës, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus dje bëri thirrje për zbatim të fushatave për vaksinim për Kovid-19 në të gjitha shtetet në botë në 100 ditët në vijim.
“Dëshiroj të shoh zbatim të vaksinimit në secilin shtet në 100 ditët në vijim, kështu që punonjësit shëndetësorë dhe ata me rrezik të lartë, të parët do të mbrohen”, deklaroi Tedros Adanom Gebrejesus në konferencën për shtyp në Gjenevë.
Në të njejtën kohë, OBSH dje u bëri thirrje shteteve të mos i kushtëzojnë udhëtimet ndërkombëtare me dëshmi për vaksinim apo imunitet.
“Në këtë moment mos vendosni detyrim për dëshmi për vaksinim ose imunitet për udhëtim ndërkombëtar, sepse ende ka informacione të panjohura për efikasitetin e vaksinave në uljen e transmisionit, ndërsa vaksinat nuk janë plotësisht të kapshme”, rekomandoi komiteti i OBSH-së.
Sipas Organizatës, dëshmitë për vaksinim nuk duhet t’i lirojnë udhëtarët ndërkombëtarë nga masa të tjera kufizuese për uljen e rrezikut nga infektimi gjatë udhëtimi.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dje e përshëndeti iniciativën e kryeministrit grek, Kirjakos Micotakis i cili propozoi vendosjen e vërtetimit për vaksinim në nivel të BE-së për shkak të udhëtimeve ndërkufitare në kuadër të BE-së.
“E përshëndes këtë iniciativë. Këto certifikata duhet të pranohen dhe standardizohen në mënyrë të ndërsjellë”, tha ajo.
Ekziston frika se vendosja e certifikatave të tilla mund t’i diskriminojë njerëzit të cilët nuk kishin qasje në vaksinë. Fon der Lajen tha se kjo mund të zgjidhet me kombinim të vërtetimeve të tilla dhe test negativ për Kovid-19.