Shkup, 1 nëntor – Dje ka përfunduar afati aplikues për Konkursin bursa për 40 nxënësit më të suksesshëm të cilët janë të regjistruar nëpër shkolla publike dhe private në vitin shkollor 2017/2018, informoi Ilir Idrizi, drejtor i Fondacion Albiz-Shkup. “Për një bursë kanë konkurruar 4 nxënës, interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh nga ana e nxënësve. Vlera e bursës është 1.800 denarë në muaj”, tha Idrizi, njofton Koha. Prej sot Idrizi e shpalli të hapur Konkursin për aplikim të studentëve të dalluar për mundësi për të marrë një nga 160 bursat të cilat i ndajnë këtë vit. Afati aplikues është deri më 25 nëntor 2017. “Të drejtë për aplikim në këtë konkurs kanë studentët e ciklit të parë (studime deri diplomike) që studiojnë në ndonjë prej Universiteteve shtetërore në Republikën e Maqedonisë, Universitetin e Evropës Juglindore si dhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik. Studentët duhet të jenë viti i II, III, IV, V dhe VI, të jenë studentë të rregullt, të mos kenë përsëritur gjatë studimit, të mos jenë shfrytëzues të bursave ose kredive nga ndonjë institucion apo ndërmarrje tjetër. Vlera e bursës për studentë për vitin akademik 2017/2018 do të jetë 4.200 denarë” tha Idrizi. Rezultatet me fituesit e bursave do të shpallen kah mesi i muajit dhjetor.