Policia e Berlinit ka vlerësuar lartë një refugjate irakiane që kishte dërguar në polici një çantë të cilën e kishte gjetur, e në të cilën ishin gjetur 14 mijë euro. Çanta ishte lënë të premten e shkuar në një tren nga një grua 78-vjeçare. Pak momente pasi e kishte harruar atë, e moshuara kishte kuptuar gabimin dhe kishte kërkuar nga autoritetet ndihmë, por nuk kishte mundur ta gjente. Më pas çanta u gjet nga një 16-vjeçare irakiane që i kishte treguar nënës së saj. Dy ditë më pas ato e dorëzuan çantën. “Një nxënëse e gjeti çantën me 14 mijë euro dhe ia dorëzoi policisë. Pronarja është shumë e lumtur. I themi bravo dhe faleminderit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Berlinit. Familja, që jeton në një qendër refugjatësh, pritet të marrë një shpërblim për këtë veprim. Sipas ligjit gjerman, shpërblimi është tre për qind të parave të kthyera.