Manastir, 28 maj – Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, të shumta janë projektet që i ka realizuar Shoqata joqeveritare “22 Nëntori”, të cilën e drejton aktivistja Sibela Alimovska, në masë të madhe kanë kontribuar për përmirësimin të gjendjes, jo vetëm materiale, por edhe atë shpirtërore të filloristëve shqiptarë të shkollave shqipe të Manastirit, shkruan gazeta KOHA. Aktivistja e palodhur, Sibela Alimovska, para disa ditësh paralelisht realizoi dy projekte në të mirë të nxënësve shqiptarë. Fillimisht, ajo për të parën herë organizoi qëndrimin njëditor të filloristëve shqiptarë në Tiranë dhe Elbasan. Njëkohësisht, ajo përfundoi me sukses të madh edhe projektin rreth pasurimit të bibliotekave të shkollave fillore. “Ishte kohë e vërtetë të mendohet për pasurimin e bibliotekave të shkollave shqipe, ashtu siç janë ato maqedonase”, thotë për KOHA Sibela, për të vazhduar rrëfimin: “Hasa në mirëkuptim me disa nga botuesit shqiptarë, të cilët sapo dëgjuan se bëhet fjalë për nevojat e nxënësve shqiptarët të Manastirit, pa hamendje pranuan që të ndajnë një numër të mirë librash të të gjitha zhanreve dhe gjinive të krijimtarisë letrare”, përfundon Sibela. Sipas rrëfimeve po të saj, Shtëpia Botuese “Logos-A”, ka dhuruar 1300 libra, kurse Shtëpia botuese “Shkupi” 200 libra. Edhe pse ky kontigjent librash ka qenë i dedikuar për nevojat e dy shkollave nëntëvjeçare, asaj të qytetit dhe asaj të fshatit Këshavë, për shkaqe krejt objektive, siç arsyetohet ajo, të gjitha librat ia jep shkollës së fshatit Këshavë. Në insistimin tonë për të shpjeguar shkaqet, ajo thotë: ”Gjatë dorëzimit të librave, kishin ardhur aktivistë partiak për të dalë para kamerave televizive, me gjithë drejtoreshën e shkollës së qytetit, e cila gjatë ngjarjeve të fundit, është parë me pankartë në duar, me mbishkrimin “Smrt za shqiptari”. Ky edhe ishte shkaku i mosdorëzimit të librave në bibliotekën e qytetit”, përfundon Sibela. (koha.mk)