150 milionë euro mbështetje për bujqit

Raporti vjetor i punës së Agjencisë Pagesore zbardh se në vitin 2021 për bujqit janë ndarë 9.120 miliardë denarë. Prej këtyre mjeteve për obligimet e mbetura nga vitet e kaluara janë paguar 5.477.168.638.00 denarë

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 13 gusht – Agjencia për Përkrahje Financiare në bujqësi në vitin e kaluar ka paguar afër 150 milionë euro për mbështetje të llojeve të ndryshme për bujqësi dhe zhvillimin rural. Raporti vjetor i punës së saj zbardh se në vitin 2021 për bujqit janë ndarë 9.120 miliardë denarë. Deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar janë paguar mjete në vlerë prej afër 120 milion euro apo afër 7.5 miliardë denarë për programet e ndryshme për përkrahje financiare në bujqësi, ndërsa për zhvillimin rural janë paguar afër 1.6 miliardë denarë. Për prodhimtarinë bimore janë paguar 1.715.800.869.00 denarë apo afër 28 milionë euro. Për mbështetjen e naftës së gjelbër janë harxhuar 2.5 milionë euro. Njëherësh për premitë e sigurimit bujqësor janë paguar 144.477.749.00 denarë. Për obligimet e mbetura nga vitet e kaluara janë paguar 5.477.168.638.00 denarë, si rrjedhojë e subvencioneve të papaguara nga vitet e kaluara. Njëherësh një pjesë e mjeteve janë të dedikuara për ndihmën për blerjen e traktorëve.

Advertisements

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian ka marrë pjesë me afër 7 milionë euro në grantet apo mjetet e pakthyeshme për fermerët dhe agrobiznesin në vend për programet e ndryshme të IPARD. Nga Kofinancimi kombëtar janë paguar 2.3 milionë euro, apo me fjalë të tjera 457 shfrytëzues kanë fituar afër 9.5 milionë euro mjete nga programet e ndryshme të IPARD për mekanizim bujqësor, pajisje për prodhimtari dhe përpunim, ndërtim dhe zgjerim të kapaciteteve, përkrahje për turizmin dhe zhvillimin rural etj. Në muajin e kaluar u paguan edhe subvencionet në vlerë prej 1.3 miliardë denarë për 17.280 kultivues të duhanit.

Gjithashtu duhet theksuar se kalendari bujqësor apo pagesa e subvencioneve nuk përkon me vitin kalendarik, për shkak se sipas ligjit subvencionet duhet të paguhen deri në fund të muajit qershor të çdo viti. Apo me fjalë tjera ato paguhen në periudha të ndryshme përgjatë një viti kalendarik. Nga ana tjetër, në Programin e subvencionimit të bujqësisë për këtë vit parashikohet harmonizimi me politikat e Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, masë pilot masë për pemëtarinë, një pjesë e subvencionit do të paguhet paraprakisht apo avans. Kjo nënkupton se mbështetja financiare do të merret në dy këste. Në kultivimin e pemëve për këtë vit parashikohet subvencionim linear dhe paradhënie e subvencioneve. Masa është në përputhje me politikën e Bashkimit Evropian për pagesën e së njëjtës shumë për të gjithë, për sipërfaqe bujqësore të punueshme pavarësisht nga kultura.

Risi është se pagesa për këtë masë do të bëhet përgjatë vitit, në periudhën shtator-dhjetor 2022.

Të gjithë prodhuesit e frutave do të marrin paraprakisht nga 12 mijë denarë nga shuma e përgjithshme e subvencionit bazë, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet vitin e ardhshëm si deri tani. Për shembull, nëse mbështetja totale për një hektar me mollë është 50.000 denarë, 12.000 denarë do të paguhen paraprakisht deri në fund të këtij viti, ndërsa 38.000 denarë të tjera do të arrijnë në llogari, deri në muajin maj të vitit të ardhshëm. Me këtë model, kultivuesit e pemëve do të marrin paratë në dy këste. Model i ngjashëm i pagesës parashikohet të vendoset edhe në prodhimtarinë bimore ku kultivohet ushqim për njeriun dhe kafshët, lëndë të parë për industrinë etj, kultivimin e perimeve dhe vreshtari. Njëherësh do të ndryshohet edhe rregullativa ligjore me qëllim që Agjencia Pagesore të mund të realizojë 30 për qind të pagesës, para se të përfundojnë punët administrative dhe kontrollet në terren. (koha.mk)