Kërçovë 1 shkurt – Talenti i madh i futbollit Shaban Zenku, prindërit e të cilit janë me prejardhje nga fshati Zhubrinë i Kërçovës, të cilët për momentin janë duke jetuar e vepruar në Kasell të Gjermanisë, këtyre ditëve ka nënshkruar kontratën e parë profesioniste katërvjeçare për gjigantin e madh të futbollit gjerman, Borusia Menhengladbah, njofton Koha.
Zenku, i lindur më 4 shkurt të vitit 2004, ende pa i mbushur 15 vjet, me talentin e tij të madh bëri që të interesohen shumë gjigantë të futbollit gjerman por ama më këmbëgulës ishte Borusia Menhengladbah. Ai, për momentin është duke luajtur në Kasell, ndërkohë që ai tek Menhengladbah sipas kontratës do aktivizohet në përfundim të kampionatit, ose më saktësisht zyrtarisht do jetë pjesë e gjigantit gjerman nga 1 gushti i këtij viti kur do hyjë në fuqi kontrata e nënshkruar.
Për Shaban Zenkun interes kanë treguar edhe përzgjedhësit e kombëtareve, madje ai i Maqedonisë i ka pasur kontaktet e para me familjen e Shabanit, por babai i tij Xhevdeti thotë se për momentin ende nuk kanë vendosur se për cilën kombëtare do të aktivizohet.
Sidoqoftë për këtë talent të madh do flasë e ardhmja, sepse është në rrugë të mbarë për të arritur majat e suksesit, për të cilin do flitet e dëgjohet shumë në të ardhmen. (koha.mk)