Shkup, 15 tetor – Personat e verbër sot e shënojnë 15 Tetorin, Ditën ndërkombëtare të Shkopit të bardhë. Në Lidhjen nacionale të të verbërve të Republikës së Maqedonisë janë të anëtarësuar më shumë se 2.500 persona të verbër, njofton Koha.mk. 15 Tetori njihet në gjithë botën si dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë e cila simbolizon përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre.
Kjo ditë daton në vitin 1964, kur Presidenti Amerikan Lindon S. Jonson nënshkroi Deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e personave të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti. Problematika të tilla si aksesi në informim, arsimi i integruar, punësimi, gjithëpërfshirja në aktivitete kulturore e sportive, krijimi i kushteve për lëvizjen autonome të personave të verbër në rrugë e kudo, janë ende të brishta në shoqërinë tonë. Lidhja nacionale e të verbërve të Republikës së Maqedonisë është formuar në vitin 1946. (koha)