Qefsere ABDYLI
Shkup, 15 shkurt – Agjencia për Kadastër kërkon të vazhdohet afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje, i cili skadoi në dhjetor të vitit 2016, shkruan gazeta KOHA. Arsyeja për këtë është t’ju ndihmohet qytetarëve të cilët për shkak të rrethanave objektive nuk kanë arritur ta kompletojnë dokumentacionin në afatin e duhur ligjor. Sipas informacioneve të Kadastrës, pesëmbëdhjetë mijë elaborate gjeodezike, pa të cilët nuk mund të kryhet procedura për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ende nuk janë dorëzuar në komuna. Të dhënat nga kompanitë gjeodezike tregojnë se deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar 5.000 elaborat edhe pse ishin përgatitur, nuk janë marrë nga palët, ndërsa dhjetë mijë elaborat kompanitë gjeodezike nuk arritën t’i zhvillojnë, sepse kërkesat për të njëjtat janë dorëzuar pas skadimit të afatit dhe nuk kanë patur kohë. Numri i saktë i qytetarëve të cilët nuk kanë dorëzuar kërkesë për hartimin e elaboratit, ndërsa kanë kërkuar legalizim, do të dihet pasi që të kalojnë të dhënat e kompanive gjeodezike dhe të dhënat e komunave. Nga 360.000 kërkesa, mund të ketë kërkesë të dyfishtë apo të kërkohet me një elaborat të përfshihen më shumë objekte. Afati për legalizimin e ndërtimeve pa leje u vazhdua në fund të vitit 2015. Atëherë, me ndryshimet ligjore ju mundësua atyre të cilët kanë dorëzuar kërkesë, por nuk kanë dorëzuar elaborat, ta bëjnë këtë deri më 31 dhjetor 2016, ndërsa ata të cilët nuk kanë dorëzuar kërkesë, ta dorëzojnë deri më 31 mars, kurse elaboratet t’i dorëzojnë deri më 31 dhjetor vitin 2017. Më këtë, qytetarët të cilët në atë periudhë nuk kanë dorëzuar kërkesë për legalizimin e ndërtimeve pa leje apo nuk kanë dorëzuar elaborate, fituan dhe një shans ta bëjnë këtë. Por, vazhdimi i afatit nuk vlente për ndërtesat e reja të paligjshme që filluan të ndërtohen pas Ligjit për legalizim, por vetëm për ata qytetarë të cilët atëherë ku u sjell ligji për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të dorëzojnë kërkesë, apo nuk kanë arritur ta dorëzojnë elaboratin. Nga marsi i vitit 2011 kur filloi procedura e legalizimit përfshirë dhe 31 dhjetorin e vitit të kaluar kompanitë gjeodezike kanë pranuar 240.000 kërkesa për hartimin e elaboratit. Nga ata 225.000 janë punuar dhe janë ngritur nga palët. Afati për dorëzimin e elaborateve skadoi për kërkesat e qytetarëve për legalizim të cilat janë dorëzuar në afatin e parë për atë mundësi në vitin 2011. Atëherë janë dorëzuar mbi 360.000 kërkesa, ndërsa deri tani në Kadastër janë regjistruar 170.000 objekte të legalizuara. Në afatin plotësues për dorëzimin e kërkesave për legalizim në fillim të vitit të kaluar janë dorëzuar 80.000 kërkesa të reja. Ata duhet të kompletohen me elaborat gjeodezik deri në fund të vitit. Vitin e kaluar me ndryshimet e ligjit u vazhdua afati për regjistrimin e linjave nëntokësore në kadastër. Ndërmarrjet private dhe publike kanë obligim deri në prill të vitit 2019 ti regjistrojnë kabllot elektrike apo të telekomunikacionit, gypat e gazit, ujit apo kanalizimit, trafostacione, stacionet bazë apo antenat ose infrastruktura të tjera nëntokësore në kadastrën e patundshmërive. Ashtu, deri më 24 prill 2017, bartësit e objekteve të tilla janë të detyruar të regjistrojnë 40 për qind të infrastrukturës nëntokësore në kadastër, ndërsa 60 për qind duhet të regjistrohen më së voni deri më 24 prill të vitit 2019. Me procedurën për evidencë dhe legalizim të infrastrukturës nëntokësore, ndërmarrjet private dhe publike do të fitojnë fletë pronësi, me çka do të mund ti vendosin në qarkullim juridik, gjegjësisht ti marrin me qira, ti shesin apo ti vendosin nën hipotekë që të fitojnë kredi bankare. Por, nga ana tjetër, qytetarët në oborret e të cilëve kalojnë linja nëntokësore mund të kërkojnë kompensim adekuat nga kompania- pronar i asaj infrastrukture. Nga marsi i vitit 2011 kur filloi procedura e legalizimit përfshirë dhe 31 dhjetorin e vitit të kaluar janë hartuar dhe ngritur nga palët 225.000 elaborat.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.