Projekti “Historia e shqiptarëve” ka bërë bashkë 15 historianë, arkeologë dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë nisur punën për hartimin e saj në dy vëllime. Lajmin është bërë i ditur nga kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. “Akademia e Shkencave ka nisur hartimin e ‘Historisë së shqiptarëve’, që do të finalizohen dy vëllime”, u shpreh ai.
Por, çfarë parashikon projekti? Projekti ka në qendër rishikimin dhe botimin e dy vëllimeve, nga Mesjeta deri në Pavarësinë e Kosovës. Ai udhëhiqet nga akademikët Pëllumb Xhufi dhe prof. Neritan Ceka. “Ky tekst është sintetik, që përfshin të gjitha periudhat që nga Antikiteti deri në vitin 1990. Synimi është që të bëhet një sintezë e plotë e të gjitha tezave të historianëve shqiptarë dhe të huaj”, shprehet drejtori i Institutit të Historisë në Shqipëri, historiani Beqir Meta.
Debatet do rihapen për Esat Pashë Toptanin si dhe luftën a trajtimin e komunizmit. Sipas, historianit Beqir Meta duhet parë gjithë dokumentacioni për të kuptuar se çfarë roli luajti Esat Pashë Toptani në luftën e Shkodrës. “Përpara ka qenë trajtuar në këndvështrim negativ. Kampi i Tepelenës ka qenë një kam pune i detyrueshëm ku kanë vuajtur shumë njerëz e familje por ku edhe kanë vdekur fëmijë. Kjo periudhë ka një memorie të gjallë historike”. Përveç Metës do të jenë të përfshirë dhe figura si Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Mareglen Verli, Apollon Baçe e Luan Përzhita. Ndërsa profesor, Paskal Milo thotë se do të fillojnë me një fakt historik të panjohur. “Ky fakt ka të bëjë me me Mithat Frashërin i cili 1 deri me 3 maj 1944 ka takuar Napolon Zerven, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame dhe kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”, tha Milo.
Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë Kosovë, Sabit Syla, tregon arsyet se përse “Historia e shqiptarëve” do të përmbyllet me Pavarësinë e Kosovës, 17 shkurti i vitit 2008. “Është një punë që nis që nga Antikiteti deri te Pavarësia e Kosovës në shkurtin e vitit 2007”, u shpreh ai. Projekti synon që do ta çojë më tej historiografinë shqiptare. “Historia e shqiptarëve”, i iniciuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pritet të përfundojë pas dy vitesh. Projekti do të zgjasë deri në vitin 2023.