Luhet në 14 tetor, datë që evokon kujtimin e asaj nate të paharrueshme të vitit 2014. Në Beograd ishin 11 luanë në fushë dhe ajo ndeshje dhe beteja ligjore që pasoi do të rezultonin vendimtare në kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në një kampionat Europian. Ishte një skuadër me zjarrin brenda…
Kujtimet më të afërta ndërkohë janë për një Shqipëri që pësoi një “fiasco” të vërtetë në “Air Albania” ndaj Lituanisë dhe që përtej detajeve tekniko-taktike nuk arriti të ngrohë edhe në Kazakistanin e largët. I duhet ta bëjë në Vilnius, në sfidën e radhës së Nations League, vetëm 3 ditë pas përballjes së Almatit.
Me atë që u pa në fushë, shtuar obligimin për të menaxhuar energjitë apo dëshirën për të provuar dikë që nuk ka patur mundësi, ndonjë ndryshim është lehtësisht i projektueshëm, duke nisur nga Manaj në sulm, ndër më të kritikuarit e sfidës me Kazakistanin, apo edhe në mesfushë e mbrojtje, por, përtej emrave të përveçëm, Shqipërisë i duhet në kompleks identiteti si skuadër.
Sfida me Kazakistanin, e vlerësuar nga vetë grupi si një ndeshje e mirë, ndërsa nga opinioni nën atë që pritej, mbetet mes dritëhijesh e madje ndoshta më shumë hije sesa dritë. Ndaj Lituanisë kërkohet më shumë qartësi. Ndryshe nga përballja e shtatorit, këtë herë nuk mund të merret lehtë, në “Air Albania” balltikasit treguan se i kishin marrë shumë mirë masat dhe dominuan fizikisht, këtë herë me leksionin e përthithur të asaj ndeshjeje, dhe mbi të gjitha me zemrën në fushë, kuqezinjtë janë në apelin për të treguar se edhe ata nesër mund të bëjnë një arritje si ajo e asaj skuadre që 14 tetorin e 6 viteve më parë skuqte Beogradin.