Mediat islandeze kanë raportuar se 12 persona janë deportuar nga vendi. Kjo nën shoqërimin e Policisë dhe autoriteteve përkatëse. Dëbimet kanë ndodhur midis 30 majit dhe 5 gushtit 2022. Sipas informacionit nga Komisioneri Kombëtar i Policisë, individët u shoqëruan për në Gjeorgji, Shqipëri, Britani të Madhe, Greqi, Spanjë, Itali, Franca, Holanda dhe Kanada.
Komisioneri shtoi se mes individëve të dëbuar nuk kishte fëmijë. Pesë nga personat në fjalë u deportuan për shkak të qëndrimit ilegal në Islandë. Katër ishin të ndaluar dhe tre prej tyre iu refuzuan kërkesat për azil dhe u kthyen në vendet ku thuhet se kishin marrë më parë mbrojtje ndërkombëtare.
Në fillim të këtij viti, qeveria planifikoi të dëbonte rreth 300 njerëz nga Islanda. Projektligji i diskutueshëm është tërhequr më vonë, duke ulur numrin e njerëzve që mund të përballen me dëbim në 197, duke kursyer familjet me fëmijë.
Gunnar Hörður Garðarsson, përfaqësues i Komisionerit Kombëtar të Policisë, tha se kërkesat për shoqërim policor trajtohen me kujdes. Sipas tij, azilkërkuesve u jepet gjithashtu mundësia të largohen nga vendi pa shoqërim policor. Policia informoi se në ditët në vijim do të jepte informacion më të detajuar mbi dëbimet. /Albanianpost