Athinë, 3 prill – Gjithsej 12 propozime dhe aktivitete që veçmë po zbatohen në bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ka prezantuar zëvendëskryeministri grek dhe ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Janis Dragasakis në seancën e djeshme të parë të Këshillit të lartë për bashkëpunim mes dy vendeve, njoftoi korrespodentja e MIA-s nga Athina, raporton gazeta KOHA.
“Nënshkrimi i Memorandumit për mirëkuptim mes nënkryetarëve të dy qeverive, parashikon formimin e komisionit koordinativ për bashkëpunim ekonomik mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, me të cilin së bashku do të kryesojnë dy nënkryetarët. Komisioni do të përbëhet nga 18 anëtarë, me të paktën tre ministra dhe pesë anëtarë të biznes-bashkësisë të çdo vendi, është propozimi i parë i Dragasakis”, kumtojnë nga kabineti i tij.
Lidhur me veglat financiare, zëvendëskryeministri i ka përmendur programet aktuale që i shfrytëzojnë dy vendet, ndërsa nga mesi i prillit do të duhet të fillojë planifikimi i programit të ri për bashkëpunim tejkufitar 2021-2027.
Dragasakis u përqendrua edhe në mundësitë për transmetimin e diturisë teknike dhe përvojës.
Në sferat tjera, Dragasakis i ka përmendur mundësitë për: bashkëpunim të Enterprise Greece me kolegë nga Maqedonia e Veriut për tërheqjen e investimeve; lidhjen e drejtpërdrejtë të regjistrave tregtarë të dy vendeve me perspektivë për vendosjen e biznes regjistrit të përbashkët ballkanik; bashkëpunimin mes tregjeve dhe qendrave logjistike të të dy vendeve për përforcimin e transportit të prodhimeve bujqësore-ushqimore; krijimin e platformës së përbashkët për interkoneksion të biznes ekosistemeve të të dy vendeve; mbrojtje të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe propozim për lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunim bilateral në luftën me tregtinë ilegale në kufirin e dy vendeve.
Për seancën e djeshme të përbashkët të Këshillit të lartë për bashkëpunim mes dy vendeve, me kumtesa u prononcuan edhe MPJ-ja greke edhe Ministria e Politikës Digjitale dhe Telekomunikimeve të Greqisë.
Ministrja alternative e Punëve të Jashtme, e cila ka nënshkruar dy nga marrëveshjet, gjatë seancës së përbashkët qeveritare, tha se “nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes nga Prespa e tregon vullnetin politik për ardhmëri të përbashkët me paqe dhe solidaritet”.
“Marrëveshja nga Prespa është shembull me rëndësi historike, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe për tërë rajonin ballkanik dhe për kontinentin evropian”, tha Anagnostopullu dhe theksoi se vizita është me rëndësi të madhe historike dhe politike.
Ministri i Politikës Digjitale, Telekomunikacioneve dhe Informatave, Nikos Papas tha se Greqia është “shtylla themelore e e stabilitetit dhe zhvillimit në Ballkan” dhe e formoi epokën e re digjitale për tërë rajonin.
“Ura e bashkëpunimit dhe miqësisë që e kemi krijuar mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, e pasuron përditshmërinë e popujve tanë dhe ekonomitë e të dy vendeve në tërësi”, tha Nikos Papas.
Siç kumtojnë nga kabineti i tij, gjatë vizitës në Shkup, Papas u takua me ministrat Damjan Mançeski dhe Robert Popovski, me ç’rast ka biseduar për implementimin e marrëveshjes së nënshkruar për zvogëlimin e roaming-çmimeve mes dy vendeve, për këmbim të përvojave për digjitalizim të sektorit publik dhe privat, për bashkëpunim të dy qeverive në sigurinë kibernetike dhe për vlerësimin për konferencën e mbajtur në Athinë për lajmet e rreme dhe Marrëveshjen nga Prespa, të organizuar nga dy ministritë. (koha.mk)