Kategoria që ka qenë më shumë përgjegjëse dhe ndikuese që Maqedonia të shënojë rënie të madhe për një vit, është korniza institucionale. Në këtë tregues, Maqedonia e Veriut shënon rënie nga vendi i 51-të në vitin 2020 në vendin 84 këtë vit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 prill – Maqedonia ka humbur 11 vende në Indeksin global të mundësive për tërheqjen e investimeve, hulumtim ky që çdo vit bëhet nga Instituti prestigjioz amerikan – “Milken”. Sipas të dhënave, Maqedonia në vitin 2020 ka qenë e renditur në vendin e 47-të, ndërsa një vit më vonë – këtë vit, renditet në vendin e 58-të, duke shënuar rënie në disa tregues. Indeksi Global i Mundësive i “Milken” vlerëson 145 vende për tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë duke përdorur një kombinim të faktorëve ekonomikë, financiar, institucional dhe rregullator, që ndahen më vonë në disa kategori, shkruan gazeta KOHA.
Kategoria që ka qenë më shumë përgjegjëse dhe ndikuese që Maqedonia të shënojë rënie të madhe për një vit, është korniza institucionale. Sipas vlerësimeve të institutit “Milken”, vendi ka shënuar rënie për shkak të transparencës së buxhetit, si dhe ligjeve për konfliktin e interesit, thellësinë e të dhënave për aftësinë kredituese, indeksin e pjesëmarrjes elektronike, sa është i shpeshtë korrupsioni, procedurat fillestare për të filluar një biznes, forcën e standardeve të auditimit apo revizionit dhe raportimit, transparencën e politikëbërjes qeveritare apo miratimit të vendimeve. Në të marrin pjesë edhe inovacionet dhe punimet shkencore, të drejtat e investitorëve, pavarësia e gjyqësorit dhe liria e mediave, si dhe stabiliteti politik.
Vetëm në kornizën “transparencë institucionale”, Maqedonia e Veriut shënon rënie nga vendi i 51-të në vitin 2020 në vendin e 84 në vitin 2021, apo një rënie për 33 vende për një vit. Si shtet, më mirë qëndrojmë në listën “perceptimi i biznesit”, ku në vitin 2020 kemi qenë në vendin e 40-të në botë, për të shënuar një rënie të lehtë në vitin 2021 në vendin e 43-të. Në këtë indeks dallohet kostoja për të filluar një biznes, përqindja e firmave që identifikojnë korrupsionin si një pengesë kryesore, përqindja e firmave që identifikojnë rregulloret e punës si një pengesë kryesore, përqindja e firmave që identifikojnë shkallët e tatimeve, koha e nevojshme për të filluar një biznes (ditë), si dhe zbatimi i kontratave.
Rënie të butë kemi edhe lidhur te “shërbimet financiare”, ku në vitin 2021 jemi renditur në vendin e 59-të në raport me vendin 51 në vitin 2020. Në qasjen ndaj financave apo kredive, madhësinë financiare dhe mundësitë – përfshihen edhe kreditë për biznesin dhe qytetarët, degët e bankave në 100 mijë banorë, numrit të pronarëve të kartelave debitor dhe kreditore, financimi i firmave të vogla, shkalla e sigurimeve në popullatë, etj.
Në treguesin “bazat ekonomike” kemi përparuar për katër vende nga 74 në vitin 2020 në vendin e 70-të këtë vit. Ato matin opinionin makroekonomik të një vendi, talentin e fuqisë punëtore dhe potencialin për inovacion dhe zhvillim në të ardhmen, jetëgjatësinë, qasjen ndaj internetit, dendësinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe e mesme, shpenzimet shëndetësore të qeverisë si pjesë e përqindjes së PBB-së, borxhet e shtetit dhe rritjen ekonomike. Lidhur me standardet dhe politikat ndërkombëtare që vlerësojnë se sa i integruar është një vend në bashkësinë ndërkombëtare dhe gjasat që ato të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si shtet qëndrojmë mirë në këtë tregues duke u renditur në vendin e 50-të në vitin 2020 dhe vendin e 53-të në vitin 2021. Ndryshe, indeksi bazohet në të dhënat e më shumë organizatave relevante ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Ndërkombëtare e Punës etj. (koha.mk)