11 shkurti – Dita e internetit më të sigurt

22

Shkup, 11 shkurt – Dita e Internetit më të sigurt është një ngjarje ndërkombëtare që shënohet për çdo vit në shkurt, me qëllim të promovimit të përdorimit më të sigurt dhe më të përgjegjshëm të teknologjive në internet dhe të telefonave celularë nga fëmijët dhe të rinjtë. Me kalimin e viteve, Dita e Internetit më të sigurt është bërë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë palët e interesuara në fushën e sigurisë në internet dhe sigurisë digjitale. Këtë vit, 150 vende e shënojnë këtë ditë me moton “Së bashku për një internet më të sigurt”.

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, në periudhën midis 4 dhe 6 shkurtit të vitit 2020, zhvilloi një anketë të shkurtër me tre pyetje në Fejsbuk. Anketa i kishte si synim të rinjtë, me qëllim që të shihet vetëdija e tyre momentale për përdorimin e sigurt të internetit. Pyetjet e anketës u formuluan në atë mënyrë që të jenë në përputhje me zhvillimet aktuale në periudhën e fundit, të cilat kanë të bëjnë me shpërndarjen e informacioneve të huaja personale, shpërndarjen e të dhënave me qëllim të pjesëmarrjes në lojëra të ndryshme në internet, sjelljen në grupet në viber dhe mjetet e tjera të komunikimit.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari thekson se “rezultatet tregojnë se të anketuarit kanë një vetëdije kritike për atë se si duhet të reagojnë në mënyrë të drejtë në situata që paraqesin rrezik për përdoruesit e internetit. Megjithëse këto rezultate janë inkurajuese, duhet punuar vazhdimisht për ta ruajtur dhe për ta ngritur vetëdijen e të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe të teknologjive të reja”.

Fondacioni Metamorfozis, përmes programit “Të drejtat e njeriut në internet”, synon ta marrë rolin udhëheqës në procesin e përfaqësimit për të drejtat e njeriut, duke u ndihmuar komuniteteve të përballen me ndryshimet e mëdha që vijnë nga ndikimi në rritje i teknologjive të reja. Metamorfozis përqendrohet në mbrojtjen e privatësisë duke i forcuar kapacitetet e qytetarëve, institucioneve dhe sektorit të biznesit për të funksionuar në një shoqëri digjitale.(koha.mk)

Comments are closed.