“Ngritja e një parku në këtë hapësirë të Shkupit është ide e vetë administratës së Qytetit të Shkupit. Mirëpo, punën dhe aktivitet në terren do ti realizojmë ne si ndërmarrje publike. Besoj se deri në fund të gushtit, ky projektet do të jetë gati dhe nga fillimi i shtatorit – do të nisim me punë. Duhet të theksohet se të gjitha parapërgatitjet ne si ndërmarrje i kemi kryer…”, thotë Drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrian Muça
Omer XHAFERI
Shkup, 19 gusht – Në hapësirën mes Filarmonisë së Maqedonisë dhe Sheshit Skenderbeu pritet të ngritët një park me madhësi prej 11 mijë metra katror. Ndonëse për momentin kjo hapësirë shfrytëzohet si parking i egër, institucionet lokale, në këtë rast Qyteti i Shkupit, përmes NP “Parqe dhe Gjelbërime”, janë duke përfunduar me kompletimin e dokumentacionit për fillimin e punimeve. Drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrian Muça, për gazetën KOHA, shprehet se janë duke u finalizuar detajet e këtij projekti.
“Ngritja e një parku në këtë hapësirë të Shkupit është ide e vetë administratës së Qytetit të Shkupit. Mirëpo, punën dhe aktivitet në terren do ti realizojmë ne si ndërmarrje publike. Besoj se deri në fund të gushtit, ky projektet do të jetë gati dhe nga fillimi i shtatorit – do të nisim me punë. Duhet të theksohet se të gjitha parapërgatitjet ne si ndërmarrje i kemi kryer. Së bashku me shërbimet e ndërmarrjes, ditë më parë, kemi inspektuar edhe terrenin. Me interes të veçantë është se kjo pjesë e përfshinë edhe Çarshinë e Shkupit dhe lagjet përreth”, thotë Muça.
Ai, mes tjerash shton se para përfundimit të projektit nuk mund të flitet për atë se çka do të përmbaj ky park, respektivisht a do të ketë fontana apo vende për rekreacion. Pluhuri dhe pamjet e tmerrshme që mbizotërojnë në këtë hapësirë, sipas NP “Parqe dhe Gjelbërime”, së shpejtit do të zëvendësohen me fidane, drunj dhe gjelbërime të ndryshme.
“Me rëndësi është se rregullimi hortikulturor do të bëhet në çdo cep të parkut. Personalisht jam i interesuar që zbatimi i këtij projekti të zhvillohet në mënyrë sa më të mirë, për shkak se në të kaluarën, shumë pak është punuar në këtë pjesë të qytetit”, thekson Muça.
Shndërrimi i hapësirës para hamamit të “Daut Pashës”, në një park modern dhe të gjelbëruar, në masë të madhe do t’ju shërbej qytetarëve të pjesës së vjetër të Shkupit. Nevojën më të madhe për hapësirë të këtillë e vërteton fakti se parku i vetëm në këtë në të qytetit, ai i Çairit, gjatë periudhës së verës është tepër i vizituar. Ndërkohë, gjatë orëve të natës një fluks i madh i qytetarëve, së fundmi është vërejtur edhe në pjesën e sipërme të sheshit Skenderbeu, i cili përveç hapësirës së madhe dhe disa ulëseve që kryesisht qëndrojnë mbi pllaka betoni, nuk ofron diçka të veçantë. Investimet dhe interesi i Qytetit të Shkupit në të kaluarën ishte përqendruar në ngritjen e përmendoreve dhe parqeve në pjesët me shumicë maqedonase. Fatkeqësisht, kjo politikë diskriminuese ndaj qytetarëve shqiptarë të Shkupit ka ndikuar në rritjen e geotizimit të lagjeve të vjetra të kryeqytetit. Neglizhimi dhe shpërfillja për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta në këtë pjesë të qytetit, në të kaluarën ka qenë karakteristikë edhe e NP “Parqe dhe Gjelbërime”. Ndryshe, sfidë si për qytetarët ashtu edhe për institucionet do të mbetet mirëmbajtja edhe kujdesi ndaj të mirës publike.
Element i përbashkët i pothuajse i të gjitha hapësirave të gjelbërta në Shkup është vandalizmi dhe shkatërrimi i tyre. Përkundër apeleve dhe rekomandimeve që investimet e kësaj natyre të çmohen dhe ruhen, ata prapë se prapë dëmtohen nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Përmes reagimeve të ndryshme në rrjetet sociale, një pjesë e qytetarëve dhe e sektorit civil propozojnë rritjen e gjobave për ata persona që më mënyrë të dhunshme do ta përdhosin të mirë publike. (koha.mk)