Një fundjavë që duhej të ishte e vështirë për Mercedes, por që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, që askush te makina gjermane nuk e kishte imagjinuar.
“Duhej një mrekulli që unë të fitoja në Singapor dhe ashtu ndodhi”, tha Hamilton, që në provat zyrtare të zhvilluara në pistën qytetase të Marina Bay u rendit i pesti. Por shiu dhe aksidenti mes rivalëve në startin e garës i dhanë atij fitoren. “Zoti më bekoi, duke shfrytëzuar në maksimum startin dhe aksidentin që penalizoi dy makinat Ferrari. Por sporti i Formula 1 i pranon të gjitha”, tha Hamilton.
“Dua të falënderoj skuadrën, pasi nuk ishte e lehtë që ta fitojë atë garë, pavarësisht atyre që ndodhën. Më vjen keq që nuk munda të dueloj me Fettel, por më mirë që ndodhi kështu”, u shpreh piloti britanik. “Në këtë garë kisha nevojë që të ndodhin këto gjëra të papritura që të fitoja. Bëmë një punë fanatstike edhe gjatë garës, pasi makina e sigurisë na penalizoi disa herë. Gjithsesi, rëndësi ka fitorja dhe ky avantazh i krijuar, që na jep mundësi të punojmë më të qetë”, deklaroi Hamilton, që ka 28 pikë avantazh karshi Sebastian Fettel, që dje nuk mori asnjë pikë.