Akti i Qeverisë së Irlandës në 1920, i hapi rrugën Sir James Craig për të drejtuar një parlament të ri të kontrolluar nga unionistët në Belfast, dhe ai u zgjodh si kryeministri i parë i Irlandës së Veriut
Më 3 maj 1921, u formua zyrtarisht Irlanda e Veriut, pas ndarjes juridike të ishullit irlandez, nga Akti i Qeverisë së Irlandës, në vitin 1920. Vendimi për të ndarë Irlandën në dy pjesë u pasua nga trazira të shumta midis nacionalistëve dhe unionistëve në vend. Në 100-vjetorin e ekzistencës së Irlandës së Veriut, BBC News paraqet një historik të shkurtër të përcaktimit të kufirit irlandez, dhe debatit që e ka shoqëruar atë.
PSE NDODHI NDARJA?
Ndarja e territorit u pa nga qeveria britanike si një zgjidhje kompromisi, pasi nacionalistët irlandezë – të cilët ishin kryesisht katolikë – dëshironin pavarësinë nga sundimi britanik, ndërsa unionistët – kryesisht protestantë – nuk donin të qeveriseshin nga Dublini, por të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 1916, kur Britania ishte në Luftën e Parë Botërore, nacionalistët organizuan një rebelim të shkurtër, por të dhunshëm, që njihet si “Rebelimi i Pashkëve”.
Kryengritja u shtyp nga Britania në pak ditë, duke ekzekutuar shumë prej rebelëve, gjë që parapërgatiti luftën e mëvonshme irlandeze për liri, që nisi në 1919. Pas kësaj ngjarjeje, qeveria britanike u ofroi nacionalistëve një parlament në Dublin dhe unionistëve në Belfast.
SI U BË NDARJA E KUFIJVE?
Kufiri ndau ishullin në dy juridiksione të veçanta – gjashtë qarqe në verilindje u bënë pjesë e Irlandës së Veriut, e cila është ende pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe territori tjetër me 26 qarqe u bë pjesë e shtetit të lirë irlandez, Republika e Irlandës.
Akti i Qeverisë së Irlandës në 1920, i hapi rrugën Sir James Craig për të drejtuar një parlament të ri të kontrolluar nga unionistët në Belfast, dhe ai u zgjodh si kryeministri i parë i Irlandës së Veriut. Akti përshkroi kufirin, duke theksuar se: “Irlanda e Veriut do të përbëhet nga qarqet parlamentare të Antrim, Armagh, Down, Fermanagh, Londonderry dhe Tyrone, dhe zonat parlamentare të Belfast dhe Londonderry”.
Kjo ndarje, sigurisht që zgjoi zemërimin e të gjithë nacionalistëve që kërkonin me doemos pavarësinë për të gjithë ishullin, por nga ana tjetër lënia jashtë Irlandës së Veriut të shumë qarqeve që përbëheshin nga protestantë dhe unionistë, u prit keq edhe nga këta të fundit, të cilët u larguan nga Këshilli Unionist.
Megjithëse, pati tentativa të njëpasnjëshme nga të dyja palët, edhe përmes traktateve, ku thuhej se ndarja e kufijve do të përcaktohej në përputhje me dëshirat e banorëve, me kushtet ekonomike dhe gjeografike, kjo gjë nuk ndodhi kurrë, dhe kufijtë nuk u ndryshuan më.