Me flokët e thinjura, i kërrusur dhe me kokën e ulur, është shfaqur para Gjykatës një prej njerëzve më të korruptuar në Kinë. Ai pranoi para trupit gjykues se kishte marrë ryshfete me vlerë 260 milionë dollarë gjatë 10 viteve. Lai Xiaomin, i cili përflitet se ka 100 të dashura, ka deklaruar se paratë i duheshin për të mbajtur haremin e tij. Xiaomin është simboli i radhës që ekspozohet në vitet e fundit nga regjimi për të treguar se ja si përfundojnë zyrtarët që nuk mendojnë t’i shërbejnë popullit, si urdhëronte Mao, por mendojnë të pasurohen.
Një simbol i fuqishëm me qenë se akuzat kundër tij nga komisioni anti korrupsion, e cilësojnë si më të korruptuarin ndër të korruptuarit. Në deklaratën e tij të fajësisë, ish zyrtari i bankës, i cili për një kohë të gjatë ka drejtuar një nga shoqëritë shtetërore për menaxhimin e kredive të vonuara, pranoi se ka pranuar ryshfete prej 260 milion dollarësh gjatë 10 viteve.
Para që i ka përdorur kryesisht për haremin e tij prej 100 të dashurash. Përpara se të rrëfehej në gjykatë ai pranoi krimet e tij në një dokumentar që është transmetuar në muajin janar në televizionin shtetëror të Kinës. I lindur 58 vjet më parë në një provincë të Kinës, ai kishte ngjitur shkallët e karrierës në Bankën e Popullit, banka qendrore kineze, duke u vendosur në drejtimin e një prej shoqërive të krijuara nga qeveria për të pastruar sistemin bankar kinez nga kreditë e vonuara.