Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, po lëviz për të marrë “yllin” e Liverpulit, Mohamed Sallah, sipas asaj që bën të ditur shtypi spanjoll. Sallah ka shkëlqyer gjatë shtatë muajve në “Anfield Road” duke e dyfishuar çmimin e tij, që ishte 50 milionë euro. Me 23 gola dhe 7 asistime në 27 ndeshje zyrtare, egjiptiani ka qenë zbulimi i sezonit në Premier Ligë.
25-vjeçari ka shënuar më shumë se Kristiano Ronaldo, Geret Bejll dhe Karim Benzema, të tre së bashku. Sipas gazetës “Don Balon”, Perez dëshiron t’i jap një sulmues tjetër trajnerit Zinedin Zidan dhe në vend të tij do të sakrifikojë Lukas Vazkuez. Pikërisht Vazkuez i është ofruar Liverpulit për t’u ulur disi çmimin e Sallah, që ka shkuar deri në 100 milionë euro. Vazkuez, 26 vjeç, ka luajtur 14 ndeshje në La Liga, ku në 9 prej tyre e ka nisur nga stoli. Ai ka një kontratë me Real deri në vitin 2021, por do ta priste me kënaqësi kalimin nën urdhrat e Klopp. Kështu, pas Barcelonës që mori në fillim Luis Suarez dhe më pas Kutinjo, Sallah është “ylli” i radhës në Liverpul, që mund të transferohet në La Liga.
Sallah u shpall futbollisti më i mirë afrikan i viti 2017. Kalimi i tij te Real Madridi është përmendur kohë më parë edhe nga trajneri i kombëtares së Egjiptit, Hektor Kuper, i cili në një deklaratë për “ON Sport TV” tha: “Personalisht e di nga burime shumë të sigurta se Real Madrid është i interesuar për Sallah, por vetëm kaq mund të them. Ai është një futbollist i shkëlqyer. Nuk dua të nxitohem, por e ardhmja e tij nuk do të jetë te Liverpuli. Sipas këndvështrimit tim, Sallah do të shkojë te një skuadër më e madhe”, deklaroi Kuper.