Retorika “DO TA BËJMË KËTË, DO TA BËJMË ATË” është vetëm një mashtrim optik për të ëmbëlsuar zhgënjimin e qytetarëve, të cilët thjeshtë janë shndërruar në “luftëtare” për ekzistencë
Nga Zejnulla VESELI
Njëqind ditët e Qeverisë së kryeministri Zoran Zaev, edhe përkundër premtimeve të bollshme për një jetë më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë, pothuaj nuk sollën asgjë të veçantë që do të na e ndërronin bindjen se megjithatë – sinjalet japin shpresa dhe se jeta e rehatshme po troket në dyert tona. Së paku jo deri më tani.
Natyrisht, Qeveria ka të drejtë të arsyetohet me kohën e shkurtër sa është në pushtet, megjithatë nuk ka arsyetim për mungesën e investimeve kapitale, siç janë grinfild-investimet, nuk ka kapacitete të reja ekonomike e as nuk ka punësime të reja. Përkundrazi, numri i të papunëve vetëm se shtohet.
Po kështu, informacionet e ndryshme thonë se shumë brende botërore anashkalojnë Maqedoninë dhe vendosen në fqinjësinë tonë. Arsyet e kësaj, kuptohet, janë të njohura. Mos anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, mos marrja e datës së fillimit të negociatave për anëtarësim në BE dhe problemi me Greqinë janë çështjet kyçe që Maqedonia të konsiderohet si një vend jo atraktiv për investitorët e jashtëm, të cilët për investimet e tyre – kusht kryesor kanë garancitë e qëndrueshme.
Standardi jetësor definitivisht bie, ndërkaq këtë e tregon rritja e çmimeve të produkteve kryesore. Rritja e çmimit të naftës vetëmse do ta bëjë edhe më të pafuqishëm buxhetin familjar. Rritja e rrogës minimale është më pak se një shtim simbolik, ndonëse ka edhe të atillë që thonë se rroga minimale ndodh vetëm për ta blerë qetësinë sociale, por edhe për ta mbajtur në kondicion anëtarësinë partiake.
Të jetuarit sot për nesër, duke i shfrytëzuar kartelat kreditore të bankave, të cilat me kamata të larta janë duke “i rrjepur” qytetarët, gjithsesi nuk do të zgjasë edhe shumë kohë, sepse do të vijë dita kur qytetarët do të ngulfaten nga borxhet, thjeshtë si pasojë ekzistenciale për ta lidhur fillimin me mbarimin e muajit.
Në kontekst të kësaj shtrohet edhe pyetja se ç’u bë me premtimet e subjektit politik shqiptar që participon në Qeverinë e Zaevit? Jo vetëm kësaj radhe, por asnjëherë më parë nuk dimë të jetë realizuar së paku 1 për qind nga programet ekonomike të subjekteve politike shqiptare. Edhe BDI-ja paraprakisht, në prag të zgjedhje parlamentare, premtoi kapacitete të reja ekonomike në vendbanimet shqiptare, por fatkeqësisht asgjë nuk pamë nga ato premtime. Dhe, janë pikërisht shqiptarët që më së shumti ballafaqohen me çështjet ekzistenciale, përkatësisht me sigurimin e kafshatës së bukës.
Retorika “DO TA BËJMË KËTË, DO TA BËJMË ATË” është vetëm një mashtrim optik për të ëmbëlsuar zhgënjimin e qytetarëve, të cilët thjeshtë janë shndërruar në “luftëtare” për ekzistencë. Hapat e premtuar për ndryshime pozitive, tash për tash nuk tregojnë se diçka po lëviz para, përkundrazi – ato vetëm sa nuk tregojnë se me këto hapa po ecim mbrapa.
Njëqind ditët e para të kësaj Qeverie nuk premtojnë se ditët që vijojnë do të jenë të ndritshme për qytetarët e Maqedonisë. Së paku jo nga ajo që dëgjuam e pamë deri më tani. (koha.mk)