Dhjetë vjet më parë gazeta KOHA shtypi numrin e saj të parë. Dhe jo rastësisht në datën e shtrenjtë të shkronjave dhe festës së shqiptarëve – më 22 nëntor. Me një mirënjohje të thellë për Kongresin e Manastirit dhe sakrificat e të gjithë patriotëve shqiptarë që na dhanë mundësinë të radhisim germat e gjuhës së bukur, të mos harrojmë se jemi shqiptarë e një gjuhë na bashkon. Por nëse për datën s’ka pasur dilema, ngurrimi për të vendosur për ngjyrat, apo formatin ka qenë i pashmangshëm, e kuqe apo blu, se mos duket si e majtë, apo mos na quajnë të djathtë. Dhe mbeti bluja, që më shumë se një ngjyrë u shndërrua në një simbol të shpirtit rebel, të frymës dhe fjalës së lirë, të vetë asaj që kërkonte të sillte kjo media e re. E zeza mbi të bardhë. Ashtu janë shkronjat. Ashtu edhe shpirti i gazetës, që pavarësisht momenteve kritike – ka mëtuar të qëndrojë në këmbë. Të jetë një dritare ku jo vetëm shqiptari, por edhe çdo qytetar të shohë aty ku e ka të pamundur të jetë, ta ndjejë veten pjesë të asaj bote të shkronjave që mundohet të ndryshojë atë, botën tjetër, ku sundon mbrapshtia dhe e vërteta fshihet, ku i “forti” darovit me privilegje për të mbajtur fronin, ndërsa fakiri kruan kokën nëse do t’ia hedhë edhe një dite tjetër. KOHA gjithmonë ka qenë aty për të promovuar vlerat, për të përkrahur artin, talentët dhe të rinjtë. Por a ia kemi dalë? Dhjetë vjet janë një rrëfim më vete, ndoshta vetëm guri i parë kilometrik në rrugën e gjatë të informimit që vazhdimisht mbledh rreth vetes ato që ia vlen dhe që duhet t’i ketë pranë. KOHA vendosi të ecë dhe të vazhdojë të jetë e njëjta, me logon blu dhe shpirtin rebel, edhe atëherë kur u munduan ta ndalojnë, ta mbyllin, apo ta detyrojnë të ndryshojë kurs. Titujt që kanë hapur gazetën KOHA kanë ngacmuar jo vetëm opinionin brenda vendit, por edhe jashtë tij. Kanë qenë një furtunë për të ndryshuar ato që janë dukur të paprekshme, si rasti i “Enciklopedisë”, maqedonishtja nga klasa e parë, rasti “Monstra”… Dhe në kohën kur informimi i drejtë po kthehet në një luks dhe rivaliteti për të “qenë i pari”, është vështirë të gjesh zërin e vërtetë. Të gjesh një “Koha” tjetër. Në sfidat e kohës së re dhe informimit të shfrenuar, KOHA vazhdon të jetë e njëjta, me misionin dhe qëllimin e njëjtë. Një zë për shqiptarët dhe forcë për të lëvizur shoqërinë përpara, pa kompromise dhe dilema, prapaskena dhe kalkulime, një media serioze që në çdo moment mundohet ta përmbushë misionin e saj me dinjitet. Sot, gazeta, prej pak javësh edhe portali KOHA, së bashku mbeten porta kryesore e informimit të saktë, të drejtë dhe në kohën e duhur për shqiptarët jo vetëm në Maqedoni. A kemi arritur të gëzojmë besimin e të gjithë lexuesve? Mendojmë se po, pasi për gjithë këto 10 vite, në adresën tonë arritën dy-tre demante. Këtë e treguan edhe katër anketat e fundit të Institutit Ndërkombëtar Amerikan, i cili radhiti gazetën KOHA në vend të parë për besueshmëri dhe krijimin e opinionit. Flasim në rang vendi, madje edhe para mediave maqedonase. Aktualisht, redaksia e gazetës KOHA, përveç informimit në letër, një ndër qëllimet kryesore ka edhe gazetën on-line. Hapat e parë janë bërë në ketë drejtim. Dhe këtu nuk po vëmë pikë. Ky është vetëm fillimi.
Gëzuar!