Autostrada Kërçovë-Ohër paraqet prioritet të lartë dhe nuk pranoj asnjë prolongim. Nuk ka më kalkulime dhe afati duhet të respektohet, thotë ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 maj – Autostrada Kërçovë-Ohër e nisur në 2014-ën dhe që duhej të ishte gati në shkurt të vitit 2018, pas premtimeve të mëvonshme se do të përfundojë në vitin 2021, tani premtohet se do të vihet në funksion në fillim të vitit 2024, apo dhjetë vite pas fillimit të punimeve. Nga Ministria e Transportit premtuan në fund të vitit 2020, se me fillimin e vitit 2021 – së paku do të lëshohen në përdorim 20 kilometrat të kësaj autostrade para qytetit të Ohrit, mirëpo kjo akoma nuk është realizuar. Edhe paraprakisht u premtua se aksi rrugor i kësaj autostrade prej lokalitetit Vrbjani deri në Ohër do të lëshohet në përdorim në qershor të vitit 2020, mirëpo edhe ky premtim mbeti vetëm në letër. Kjo rrugë është e gjatë 57 kilometra dhe do të kushtojë afër 600 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe esnafi i turizmit me vite kërkon përshpejtimin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore në drejtim të Ohrit dhe Strugës, apo në drejtim të liqenit të Ohrit si qendër kryesore turistike në vend. Për më tepër shtojnë se një rrugë moderne do të rriste numrin e turistëve të huaj në këtë perlë turistike vendore.
Ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski, pret që korsia e djathtë prej fshatit Trebenishtë deri në Ohër të përfundojë tërësisht dhe të lëshohet në përdorim në fillim të muajit gusht, ndërsa korsia e majtë të përfundojë dhe të lëshohet në përdorim në fund të kë tij viti. Njëherësh paralajmëron edhe respektimin e afateve për përfundimin e këtij aksi rrugor. “Autostrada Kërçovë-Ohër paraqet prioritet të lartë dhe nuk pranoj asnjë prolongim. Nuk ka më kalkulime dhe afati duhet të respektohet”, shton Boçvarski. Sipas tij në terren punojnë mbi 700 punëtorë dhe mbi 280 makina ndërtimore, ndërsa shton se progresi total në këtë autostradë ka arritur në 70 për qind. Në terren është depërtuar 95 për qind e trasesë së Autostradës Kërçovë-Ohër.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike ”Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi thotë se përskaj 57 kilometrave të autostradës do të ndërtohen edhe 30 kilometra rrugë qasëse shtesë apo për hyrje dhe dalje të më shumë vendbanimeve që gravitojnë në këtë aks rrugor. “Nga institucionet përkatëse pritet të zgjidhen edhe procedurat tjera, si shpronësimi, shndërrimi i tokës bujqësore në toke ndërtimore etj. Njëherësh kërkuam nga kontraktori të rrit dinamikën e ndërtimit në autostradë me tempo të përshpejtuar, ku aktualisht po punohet në shumë viadukte, në disa nyje rrugore, në rrugë paralele dhe alternative, në mure mbajtëse, punohet edhe në tunelet dhe në çdo gjë tjetër që është e paraparë sipas dinamikës së ndërtimit”, thekson Rustemi.
Në ndërkohë, për shkak të problemeve me dokumentacionin jo të plotë projektues u vonua ndërtimi i rrugës, ndërsa realizuesi kryesor i punëve në teren kompania kineze “Sinhidro”, kërkoi 152 milionë euro shtesë vetëm për përfundimin e tunelit të gjatë 4 kilometra tek lokaliteti Preseka, ndërsa afër 90 milionë euro të tjera janë kërkuar për harxhimet shtesë në pikat e tjera problematike të ndërtimit. Bile analizat kanë treguar se materiali ku është kryhet shpimi i tunelit “Preseka” tek fshati Vrbjan, kushtëzon çmim më të lartë të ndërtimit për shkak se tuneli, ishte parashikuar të ndërtohet mbi një shkëmb pa hulumtime paraprake gjeologjike, ndërsa tani tereni dikton çmim më të lartë ndërtimi që kaloi harmonizimin me partnerin kinez të ndërtimit. Kjo rrugë e rëndësishme që nga fillimi i ndërtimit ballafaqohet me probleme të ndryshme ku fillimisht nuk ishin parashikuar hyrje-dalje ndaj rrugëve lokale, ndërsa një pjesë e rrugës ishte e parashikuar të ndërtohet mbi rezervuarin që furnizon Kërçovën me ujë. Ajo filloi të ndërtohet në 2014-ën dhe duhej të jetë gati në shkurt të vitit 2018. Prokuroria publike Speciale në bazë të indikacioneve nga përgjimet jo legale apo “bombat” , hapi rastin kundër ish funksionarëve të pushtetit të dyshuar për marrjen e ryshfetit si dhe për mënyrën e udhëheqjes së procedurës së tenderit.
Nga ana tjetër edhe Enti Shtetëror I Revizionit konstatoi se ndërtimi i autostradave të reja po zhvillohet me tempo të ngadalshme, ekziston vonesë e punëve ndërtimore si dhe realizimit financiar të punëve të planifikuara dhe kontraktuara. Pritet që nga Shkupi deri në Strugë të udhëtohet me autostradë deri në vitin 2024, ndërsa një vit më vonë apo në vitin 2025 do të ndërtohet edhe pjesa e mbetur e autostradës që lidh Maqedoninë me Shqipërinë apo nga Trebenishta që është larg 13 kilometra nga Ohrit deri në Qafë Thanë.
Ideja e qeverisë është që ky proces të realizohet me një zgjidhje ligjore që do të mundësojë marrëveshje direkte dhe realizim të projektit sipas të ashtuquajturit princip “çelësi në dorë ”. Memorandumi për këtë ishte nënshkruar në muajin prill vitin e kaluar dhe kaloi edhe filtrin parlamentar. Në opinion kishte edhe polemika lidhur përfitimet që kjo rrugë do ti sjellë vendit. Debatet u ngritën për shkak për faktin se ligji do të lejojë një procedurë që nuk do të përfundojë me tender, por me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kontraktuesin e njohur. Nga Qeveria në vazhdimësi kanë theksuar se kjo marrëveshje, apo ky ligji që do të miratohet do të mundësojë një proces të shpejtë, të pastër dhe efikas. Sipas marrëveshjes fillestare, “Bechtel and Enka” ofron ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar-Kërçovë dhe Strugë-Qafë Thanë nga Korridori 8, por edhe nga Prilepi në Manastir, nga studimi i fizibilitetit, projeksioni financiar deri te ndërtimi i plotë.
Në aksin rrugor Shkup-Bllacë, ka filluar faza e parë ka filluar, dhe në rrjedhë e sipër janë aktivitetet edhe për fazën e dytë. Sivjet do të fillojnë punimet edhe për zgjerimin e autostradës Tetovë-Gostivar.
Ndryshe, është formuar edhe Komiteti për Negociata për lidhjen e Marrëveshjes për ndërtim me Behtel Enka, ndërsa është publikuar edhe shpallje për përzgjedhjen e Konsulentit mbikëqyrës dhe juridik i cili do të udhëheqë negociatat së bashku me Komitetin e formuar nga Qeveria. Edhe kjo procedurë është në fazën përfundimtare, me çka me këtë hap mundësohet fillimi i punëve përgatitore për realizimin konkret të projektit për realizimin e kësaj pjese të rëndësishme të Korridorit 8. (koha.mk)