Urim HASIPI
Tetovë, 13 shator – Mbrëmjen e 22 tetorit të vitit 2007 në Qendrën për kulturë në Tetovë për herë të parë u dha premiera e shfaqjes “Çmendina” nga aktorë tetovar. Me këtë shfaqje edhe në mënyrë zyrtare filloi të funksionojë Teatri i Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Prej atëherë e deri më tani janë dhënë qindra shfaqje si dhe dhjetëra pjesëmarrje në festivale të ndryshme. Aktori Petrit Neziri, në këtë Teatër punon që nga fillimi, ndërsa me shumë emocion kujton daljen e parë para publikut. “Pikë së pari ka qenë një entuziazëm i jashtëzakonshëm tek unë personalisht, po ajo nuk fshihej edhe tek kolegët me të cilët bashkëpunuam në atë shfaqje. Ajo që vlen për t’u theksuar është procesi në të cilin kemi kaluar bashkë, kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer mes vete, ka qenë hera e parë kur ne shkëmbyem përvoja, meqë vinim nga akademi të ndryshme. Unë vija nga Fakulteti i artit dramatik në Shkup me përvojën time, kurse kolegët tjerë nga Fakulteti i artit dramatik i Universitetit të Tetovës. Kolegë të tjerë, si regjisori Florent Mehmeti, vinin nga Fakulteti i artit dramatik në Prishtinë dhe ka qenë një lloj kompilacioni i përvojave të ndryshme që arritën të sintetizohen brenda një procesi i cili u kurorëzua me një sukses të jashtëzakonshëm. Nuk ishte e rastit që kjo shfaqje u rishfaq me disa repriza dhe publiku e pranoi dhe e mirëpriti shumë mirë”, thotë aktori për KOHA, Neziri. Por, përkundër elanit dhe entuziazmit, edhe pas dhjetë vitesh Teatri i Tetovës ende nuk ka hapësira të mjaftueshme për të kryer aktorët provat. Krahas kësaj, ata përballen edhe me mungesë të objektit për Teatër. “Ai është problemi kryesor që kemi ne si institucion, sepse pa kushte nuk mund të bësh teatër. Megjithatë, ne kemi punuar edhe në kushte të atilla, në kushte të të ftohtit, në pluhur dhe siç e shihni këtë sallë, këtu bëhen prova tavoline dhe për fat të keq tani nuk ka prova. Besojmë se shumë shpejtë do të kemi prova këtu dhe do ta ngjallim këtë institucion, por shpresa e vetme mbetet te objekti i ri që besoj duhet të përfundojë, pasi po punohet me një intensitet të shtuar dhe kemi informacione jozyrtare se po bëhet diçka”, thotë aktori Muzafer Etemi. Në ndërkohë, Teatri i Tetovës tashmë ka ushtruese të detyrës drejtoreshën Blerta Mamuti, e cila thekson se për këtë dhjetëvjetor do të ketë një sërë aktivitetesh, duke filluar nga panel diskutimet e deri tek Festivali i filmit. “Me rastin e 10 vjetorit të Teatrit të Tetovës në planifikojmë një sërë aktivitete edhe atë duke filluar nga paneli i diskutimit me njerëz të artit, pastaj do të ketë një shfaqje kushtuar dhjetëvjetorit dhe në fund do të jetë festivali. Pra ne do të mundohemi që gjatë muajit tetor të rrumbullakojmë shumë aktivitete, normalisht nëse lejojnë edhe kushtet klimatike”, tha Blerta Mamuti, ushtruese e detyrës drejtoreshë e Teatrit të Tetovës. Për momentin në Teatrin e Tetovës janë të punësuar rreth 50 persona, përfshirë aktorë dhe punëtorë teknik. Përndryshe, edhe pse tashmë ka kanë kaluar 5 vite nga hedhja e gurrëthemelit të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës, megjithatë deri më tash i njëjti nuk është duke u përfunduar edhe pse ka patur premtime se do të përfundojë për 4 vite. Mirëpo, ndërtimi i këtij objekti ka hasur në shumë vështirësi, sidomos me vonesën e pagesave të qeverisë ndaj realizuesit të punëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.