Shkup, 21 shkurt – Ministria e Brendshme para disa ditëve njoftoi se procedura për njohjen e lejeve të vozitjes midis Maqedonisë dhe Gjermanisë është në fazat e saj përfundimtare, transmeton Koha.
Njohja e lejeve të vozitjes maqedonase në Gjermani do të thotë që të gjithë personat që kanë ose do të rregullojnë një qëndrim në Gjermani do të jenë në gjendje të zëvendësojnë patentën e shoferit me atë gjerman dhe jo sikur deri më tani që ishte e vlefshme vetëm për gjashtë muaj dhe pastaj duhet që të merrej nga e para leja.
Në cilat vende janë të vlefshme dokumentet biometrike maqedonase?
Dokumentet biometrike maqedonase si kartat e identitetit dhe patentat e shoferit janë të njohura dhe të vlefshme në shumë vende të rajonit dhe të botës. Me kartat e identitetit maqedonas do të jeni në gjendje të udhëtoni lirisht në Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa në fazën përfundimtare është njohja e tyre në B dhe H.
Nga ana tjetër, patentat maqedonase të shoferëve përveç Gjermanisë janë të vlefshme dhe njihen ndërkombëtarisht në Spanjë, Shqipëri, Itali dhe në Slloveni.