Frika ime është se 10 qershori do të kalojë qetë. Fëmijët do të lehtësohen, mësuesit gjithashtu. Hallet do mbesin dhe në fund – kur do vijë koha ministria të flasë, atëherë gjithçka do të jetë përplasje politike ku vetëm nxënia dhe dija s’do jenë në fokus sinqerisht. Në fund, s’do ketë fare rëndësi nëse librat do jenë ose jo digjitalë, nëse cilësia e mësimit – e përmbajtjes, e arsimtarëve dhe e nxënësve nuk rritet, por të gjithë do merren vetëm me sipërfaqësoren, ku si tani – të gjithë hiqen se ia hodhëm dhe një viti arsimor me gjithë rrethanat e jashtëzakonshme
Nga Nazim RASHIDI
10 qershori përherë ka qenë gëzim kur ishim fëmijë. Dita e fundit e shkollës, pas të cilës fillonin ditët e gjata të verës që ishin gjithë gëzim. Më kujtohet gugëzhima e nxënësve jo tipike, sepse mësimi thuajse nuk mbahej, por edhe fytyrat e gëzuara të mësuesve tanë – edhe ata të lehtësuar që përfundoi edhe një viti shkollor.
Por a ishte i tillë ky 10 qershor për nxënësit e mësuesit? Fëmijët deri në klasën e tretë ishin në shkollë. Por, shkolla ishte relativisht bosh të enjten më 10 qershor në Shkup. Të paktën tek shkolla e djalit tim. Pak prindër e pak mësues në oborr. Ata që janë më të mëdhenj se klasa e tretë e që nuk shkonin në shkollë gjatë gjithë vitit për shkak të pandemisë, 10 qershori i gjeti në gjumë. Mësim as që u mbajt online, të pakën ky ishte rasti i vajzës time.
Pa diskutim një 10 qershor jo tipik, si i gjithë viti i arsimit. Por, është një moment ama për të reflektuar, madje për të reflektuar rëndë. Sepse, dita me diell e qershorit vetëm sa sjell iluzion se gjithçka ka qenë mirë dhe se fëmijët u mbushën edhe një vit me dije.
NXËNËSIT
Mësimi online filloi me vështirësi e skepticizëm. Nxënësit e refuzonin, mësuesit e refuzonin, prindërit e refuzonin. Por ç’të bëhej? Pandemia e bëri të vetën, përhapej me të madhe dhe duhej të merreshin masa të jashtëzakonshme. Dilema ime dhe besoj e të gjithë të tjerëve ishte se, a arritën nxënësit të nxënë dije aq sa duhej? A nxënë po aq sa duhej në raport me të tjerët? A do jenë një brez i tërë i dënuar me mangësi serioze?
Nuk mund të mos i bëjmë këto pyetje, për vet fëmijët, por edhe për vet shoqërinë. Autoritetet thonë se mësimi ishte brenda pritshmërive, por cilësia asnjëherë nuk u mat. Por kjo s’është shaka. Nuk them se duhet të bëhen testime të frikshme apo kontrolle rrigoroze penalizuese (edhe pse në disa raste ekstreme, mbase edhe ato duhen marrë parasysh) por një vlerësim real, i sinqertë, pa frikë e sidomos pa politikë: A është marrë dija e duhur nga nxënësit? Nëse jo, gjithçka duhet të rikuperohet vitin që vjen. Dhe kam frikë se ashtu duhet të jetë. Por këtë s’e thotë askush. Më mirë do shtiremi se çdo gjë ishte mirë.
PRINDËRIT
Me përplot prindër, ky është debati dhe frika. Një vit shkolle dhe thuajse shumë pak dije. Ose madje kishte edhe propozime ekstreme nga prindër ambiciozë, që edhe viti të përsëritet vetëm fëmijët mos mbesin me boshllëqe. Por për hapa të tillë duhet një matje dhe ajo nuk ekziston. Sigurisht kishte dhe prindër të tjerë që e marrin situatën me lehtësi totale. Mbase janë në linjë me idenë se viti që shkoi, do jetë viti që i preku të gjithë, e meqë është ashtu, askush nuk përjashtohet – që do të thotë se të gjithë janë njëlloj. Por a duhej prindërit të ngrenë më shumë zërin? Të merremi vesh, jo të gjithë fëmijët kishin mundësi të ndjekin mësimin online dhe jo të gjithë kishin kushte. Në rrethana të tilla, diskriminimi është shumëdimensional. Por a do të shohim vetëm interesin e fëmijëve tanë, apo të të gjithëve? Këto përgjigje do të jenë përcaktuese edhe çfarë shoqërie duam. Një gjë është e qartë, që prindërit nuk deshën dhe nuk duan mësimin online dhe reaguan ashpër edhe me nismat për digjitalizimin e librave. Kjo tregon se shkolla do të mbesë edhe për gjatë kohë prioritare si objekt, por edhe si vend ku mësuesit do kenë rolin kyç në përhapjen e dijes. Në fund të vitit shkollor mbetet ende dilema, përvoja e një viti më parë, por edhe nismat e marra nga këto rrethana pandemike nëse do jenë të duhurat? Për fat të keq, prindërit nuk u pyetën, nuk ka një studim të qartë se si do duket e ardhmja, kurse ajo që dihet qartë është se të gjithë duan të kthehen në shkolla.
SHKOLLA
Por, si do duken shkollat dhe si do jetë mësimi vitin që vjen? Ai që iku dihet si ishte. Shkolla si objekt me gjasë do të marrë sërish rëndësi. Askush nuk flet për masa e protokolle, sepse askush nuk e di si do të duket pamja epidemiologjike. Por një projeksion me variante – A, B, C duhet dhënë. Për momentin, s’ka. Kjo s’është në rregull. Madje është shumë e papranueshme. Sepse në gusht, disa javë para fillimit të mësimit, nuk mjaftojnë eksperimentimet me mundësitë. Nëse ministria bën plane, atëherë duhet ti publikojë, e jo si në shumë raste – të kapë opinionin në befasi. Sepse, shkolla s’është vetëm mure. Baza aty janë mësuesit. Kishte shumë ankesa ndaj tyre, kishte shumë vlerësime për ta. Me gjasë e vërteta është në mes. Mësuesit vetë heshtin. Por sa kanë mundur ata të jenë produktiv në krahasim me një vit më parë kur s’kishte pandemi? Nuk e dimë. Çfarë mund të përmirësohet vitin tjetër marrë parasysh përvojën me online? Askush s’e di. I shikoja disa mësues të lehtësuar se mbaroi edhe një vit. Që ankohen për orët shtesë dhe pagat që duhet të marrin, me të drejtë! Por s’pashë të flasin diku se sa produktiv kanë qenë? Në vlerësim kritik. Ose të japin ide se si të përdorin internetin. Ose si ti bëjnë orët interaktive. Thuajse në asnjë orë nuk shfaqën një video me elemente specifike të lëndëve. Mbetën në metodën klasike ku shpjegonin mësimet para kompjuterit dhe fëmijët në anën tjetër që i dëgjonin ose bënin se i dëgjonin.
Shkolla nuk mundet të jetë vetëm mure. Pa mësuesit e pa nxënësit, ajo do mbesë vetëm tulla. Prandaj ky 10 qershor duhet të përdoret për reflektim nga drejtoritë, mësuesit e ministria se si të bëhen gjërat më mirë duke marrë të gjitha skenarët parasysh. Të vlerësohen dijet e nxënësve, puna e mësuesve, por edhe masat e ministrisë nëse ishin të duhura.
MINISTRIA
Nga ministria dëgjuam se mësimi ishte mbajtur brenda pritshmërive. Por a ishte ashtu realisht? Pandemia plus edhe reformat shkaktuan veç reagime. U paralajmëruan libra digjitalë. Shumica e morën se kjo do të thotë një rikthim tek mësimi online. Nuk është ashtu. Por pa sqarimet e duhura gjithçka shpërtheu ndryshe. A do jetë ashtu edhe me vitin e ri shkollor. Vlerësimi nga prindërit, si perceptim ishte se ky mësim s’ishte i duhuri. Mësuesit i duan nxënësit në klasa dhe refuzojnë teknologjinë. Shkollat janë në heshtje të kapura mes zyrtarëve lokalë, ministrisë, mësuesve, nxënësve, prindërve. Kurse ministria si institucioni që merr vendime, thotë se do bëjë reforma, dhe se merr masat për një viti të ri shkollor me prezencë fizike. Por edhe këto deklarata jepen me ndrojtje, sepse askush nuk e di se si do marrë pandemia. Mbesin sërish dilemat, se çfarë mësuam nga ky vit në arsim e çfarë mund të bëjmë më mirë?
E para, për mua duhet hequr politizimi. I tmerrshëm në rrethana të tilla, gjithçka të gjykohet vetëm nga prizmi politik. Pasojat janë të të gjithëve nëse dështon arsimi, sepse brezi i mësuar keq do të jetë barrë edhe e këtij pushteti, edhe e kësaj opozite, edhe kujtdo tjetër që do marrë këto role në të ardhmen. Duke ç’politizuar, në fakt e heqim presionin se kritika është tendencioze dhe se dështimet nuk do fshihen me çdo kusht. Na duhet përmirësimi i situatës jo fshehja e gabimeve. Që tek niveli i nxënësve. Duhet të jemi të qartë: dinë a nuk dinë, kanë marrë ose dijen e një viti siç duhet! Mësuesit ishin apo nuk ishin në nivelin e duhur, dhanë ose jo maksimumin! S’ka pse të ketë mashtrime.
Por frika ime është se 10 qershori do të kalojë qetë. Fëmijët do të lehtësohen, mësuesit gjithashtu. Hallet do mbesin dhe në fund – kur do vijë koha ministria të flasë, atëherë gjithçka do të jetë përplasje politike ku vetëm nxënia dhe dija s’do jenë në fokus sinqerisht. Në fund, s’do ketë fare rëndësi nëse librat do jenë ose jo digjitalë, nëse cilësia e mësimit – e përmbajtjes, e arsimtarëve dhe e nxënësve nuk rritet, por të gjithë do merren vetëm me sipërfaqësoren, ku si tani – të gjithë hiqen se ia hodhëm dhe një viti arsimor me gjithë rrethanat e jashtëzakonshme.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)