10 nga 32 gratë e kthyera ishin martuar për herë të dytë në Siri, tri të tjera për herë të tretë

Të gjithë të kthyerit nga Siria në Kosovë janë liruar nga Qendra për të Huaj në fshatin Vranidoll të Prishtinës, ku mbaheshin që nga dita e shtunë, konfirmoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ndërkaq, 32 gra të kthyera janë duke u hetuar nga institucionet e Kosovës.

Prokuroria Speciale konfirmoi se këto gra kanë qenë edhe më parë nën hetime, porse ato janë pezulluar për shkak se të dyshuarat kanë qenë të paarritshme për prokurorinë.

Sylë Hoxha, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, konfirmoi rinisjen e hetimeve.

“Hetimet do të vazhdojnë, sepse ato edhe më parë kanë qenë nën hetime, por hetimet janë pezulluar për shkak se kanë qenë të paarritshme për prokurorinë, kështu që do të rifillojnë hetimet për 32 prej tyre, për momentin”, tha Hoxha.

Sipas tij, edhe pse gratë janë liruar, prokuroria do të vazhdojë ndërmarrjen e hetimeve.

Ballkani.info mëson se nga 32 gratë e kthyera në Kosovë, 10 prej tyre janë martuar në Siri dy e më shumë herë.

Ndërkaq, tri prej tyre janë martuar tri herë, pasi që burrat iu kishin vrarë.

Kjo, sipas burimeve të Ballkani.info, ka ndodhur pasi që burrat u janë vrarë në frontet e luftës dhe më pas janë martuar sërish atje.

20 grave nga 32 të kthyera u janë vrarë bashkëshortët në Siri, kurse të tjerat i kanë të burgosur. Njëra nuk ka fare burrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, një ditë pas kthimit të tyre në Kosovë, njoftoi se nga Siria u kthyen katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

Për katër luftëtarët, Qalaj tha se ata janë arrestuar në momentin e mbërritjes në Kosovë. Ndaj tyre tashmë është caktuar masa e paraburgimit.

Më shumë se 300 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.

Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim.