10 milionë njerëz pa energji, Ukraina përballet me krizë humanitare në mes të dimrit

Mbi 10 milionë njerëz janë pa energji elektrike në Ukrainë, pasi Rusia shënjestroi sërish infrastrukturën kritike me një valë të re sulmesh në shtetin fqinj.

“Aktualisht, më shumë se 10 milionë ukrainas janë pa elektricitet me rajonet e Odesës, Vinitsias, Sumit dhe Kievit që janë më të prekurat. Po bëjmë gjithçka për të normalizuar furnizimet. Autoritetet rajonale të Kievit këshilluan banorët e kryeqytetit të grumbullojnë ujë dhe ushqim dhe të përgatiten për ndërprerje të gjata të energjisë”, tha Zelensky.

Mungesa e elektricitetit nënkupton se miliona njerëz në kryeqytet dhe rajone të tjera nuk kanë ngrohje në banesa dhe vuajnë temperaturat e acarta, ndërsa Kievi është mbuluar nga bora. OKB-ja ka ngritur alarmin se një krizë e rëndë humanitare është në horizont. Rusia lëshoi një breshëri raketash kundër infrastrukturës kritike, ditën e enjte, përfshirë edhe impiante të prodhimit të gazit.

Advertisements

Të paktën 7 persona humbën jetën kur një raketë goditi një bllok apartamentesh në Vilnyansk, pranë qytetit të Zaporizhias. Këshilltari presidencial, Mykhailo Podolyak, pohoi se lufta mund të përfundojë para se Ukraina të çlirojë të gjitha territoret me mjete ushtarake. Ai komentoi kështu deklaratën e shefit të shtabit të forcave të armatosura në SHBA, Mark Milley sipas të cilit ka pak gjasë që Kievi të rimarrë nën kontroll të gjitha territoret e pushtuara përfshirë, Krimenë. Në një intervistë për italianen la stampa, Papa Francesku tha se paqja në Ukrainë është e mundur dhe u ofrua të ndërmjetësojë fundin e konfliktit./a2news