Shkup, 9 shkurt – Dhjetë milionë euro shtesë janë siguruar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) përmes Platformës për zhvillim të ndërmarrjeve dhe inovacioneve për Ballkanin Perëndimor, kumtoi pasdite zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski. Bëhet fjalë për kredi me vlerë maksimale prej 500 mijë euro të cilat, kompanitë mund t’i marrin me kushte mjaftë të volitshme, gjegjësisht me sigurim 30 deri në 60 për qind garanci më të vogël në lidhje me ato standarde. Do të realizohen përmes ProKredit bankës. Afati është 10 vjet, ndërsa shkalla e interesi është më e ulët për 0,25 për qind. Siç përmendi Peshevski, kreditet dedikohen veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të mundësojnë zhvillimin e tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas menaxherit të Fondit investues evropian Hubert Kotonji, analiza e tregut ka treguar se pikërisht NVM-ja ka nevojë më të madhe për kredi, me fokus të biznesit dhe inovacioneve. Marrëveshja për shfrytëzimin e këtij instrumenti financiar është nënshkruar para rreth tre javësh. Maqedonia është ndër vendet e para nënshkruese të Platformës me të cilën kompanive të rajonit iu mundësohen qasje deri në rreth 140 milionë euro.