Nuk janë të paktë ata që kanë shkruar për jetën e veprën e kryeheroit të shqiptarëve, Skëndërbeut. Ne më poshtë po ju sjellim një listë me tituj librash përmes të cilave mund të mësoni detaje për kryetrimin.
“Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti
Edhe pse praktikisht biografi i parë i Skënderbeut është Martin Segoni, është Marin Barleti, prifti shkodran, që botoi në latinisht për herë të parë në Romë, rreth viteve 1508 – 1510, një biografi zyrtare për Skënderbeun. Edhe Barleti përdori si referencë Martin Segonin.
“Skënderbeu” nga Sabri Godo
Roman historik, ndryshe nga të tjerët, i shkruar nga i mirënjohuri Sabri Godo, tregon më së miri historinë e heroit tonë kombëtar. Romani përshkruan trimëritë e luftës 25 vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë mendon ai, mënyrën e komunikimit me të afërmit, ushtarët, trimat shqiptarë, dashurinë për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt.
“Kryqtari i fundit” nga Virgjil Kule
E botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ky është libri monografik më brilant deri tani për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili tregon muaj pas muaji, vit pas viti çfarë ka bërë Skënderbeu.
“Skënderbeu, një histori politike” nga Aurel Plasari
Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut.
Veçohen dokumentet nga arkivat e Milanos.
“Historia e Skënderbeut” nga Fan Noli
Është libri i parë historik i Skënderbeut në shqip i shkruar nga Fan Noli. Noli bëri një punë torturuese duke rrëmuar gjithë arkivat e mundshëm në kërkim të të dhënave për Skënderbeun. Historia e Skënderbeut ishte tema e diplomës së Nolit në Universiteti e Bostonit.
“Skënderbeu: Një histori e Gjergj Kastriotit dhe e Rezistencës Shqiptare ndaj ekspansionit Islamik në Evropën e shekullit XV” nga A. K. Brackob
Një libër biografik i dalë së fundmi për Skënderbeun, i cili argumenton se sukseset e Skënderbeut shpëtuan Italinë duke vonuar operacionet ushtarake të Mehmetit II. Autori e botoi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti, i cili sipas tij, shpëtoi qytetërimin perëndimor.
“Skanderbeg: Nga i burgosur i osmanëve në heroin shqiptar” nga Harry Hodgkinson
Biografia e parë për heroin kombëtar të Shqipërisë, e botuar në Angli pas më shumë se 400 vjetësh.
“Skënderbeu” nga Oliver Jens Schmitt
Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandërit të ri.
“Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV” nga Jovan Radoniç
Një punim voluminoz i këtij autori serb për Skënderbeun, i cili ka dokumentuar historinë e Skënderbeut duke mbledhur dokumente nga të gjitha arkivat, si: Napoli, Milano, Raguza të Spanjës etj. /Zëri/
A.S.