Dhjetë mijë të rinj nga Turqia dhe jashtë saj, përfshirë edhe të rinj nga Maqedonia, do të marrin pjesë në një “Marshin e Besnikërisë së Regjimentit të 57-të” që do të organizohet nga Ministria turke e Rinisë dhe Sportit në kuadër të ceremonive me rastin e 103 vjetorit të Betejave Tokësore të Çanakalasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshi do të fillojë më 25 prill në orët e hershme të mëngjesit, për të vazhduar një ecje prej tetë kilometrash drejt vendit Conkbayırı pas faljes së namazit të sabahut.
Kryetari i Federatës së Ekskurzioneve Stërvitore, Hasan Dinçer Subaşı, tha se në këtë marsh do të marrin pjesë afër gjashtë mijë skautë.
“Do të ketë pjesëmarrës edhe nga Azerbajxhani, Maqedonia, Gjeorgjia dhe Serbia. Në mesin tonë do të gjenden edhe rreth një mijë skautë refugjatë nga Siria dhe Plestina. Do të nisemi pas namazit të sabahut dhe do të zhvillojmë një aktivitet emocional”, tha Subaşı.
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Projekteve dhe Koordinimit pranë Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Mehmet Akif Okur, tha se mijëra të ri çdo vit vizitojnë Çanakalanë për t’i përkujtuar dëshmorët.
“Në aktivitetin tonë do të vijnë rreth gjashtë mijë skautë. Afërsisht dhjetë mijë vëllezër tanë këtë vit do të realizojnë marshin e besnikërisë në gjurmët e të parëve të tyre”, theksoi Okur.
Ai tha se të rinjtë këtu do t’i shohin vendet ku janë të varrosur të parët e tyre, duke mësuar për ngjarjet historike të këtij vendi.
“Nuk ka një marsh të ngjashëm në botë. Nuk ka një rini tjetër e cila shkon ose dëshiron të shkojë rrugëve të njëjta në errësirë me atë të të parëve të tyre, me shpirtin dhe besimin e njëjtë, duke e pritur këtë me emocione të mëdha”, shtoi Okur.