1 vit nga protesta, studentët: Asgjë nuk ndryshoi

6

Një vit pas protestës në universitete, asgjë nuk ka ndryshuar për studentët. Të rinjtë e Qëndresës Qytetare, denoncojnë dështimin e politikave për përmirësimin e kushteve. Përmes një monitorimi të kryer rezultoi se universitetet publike shpenzojnë mijëra euro për dieta, shpërblime, karburant makinë dhe thuajse zero lekë për kërkimin shkencor. Studentët kërkojnë transparencë për fondet, ndërsa i kërkojnë SPAK-ut ta nisë punën nga zyrtarët e universiteteve. “Realiteti është se asgjë nuk ka ndryshuar, janë po të njëjtat shpenzime. Shifrat vazhdojnë të fryhen”.

“Studentët e universiteteve tona nuk kanë printera dhe fotokopje, por nga ana tjetër stafet dhe administratat e universiteteve kanë shpërblyer veten me 1 mln euro. Institucionet e reja ta nisin me universitetet”, tha Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare. Për analistin Afrim Krasniqi problemi në universitete vjen nga ligji i arsimit të lartë. “Universitetet janë bërë si gjimanzet, studentët mbarojnë mësimin dhe shkojnë në shtëpi. Nuk ka kërkim shkencor, nuk ka punë shkencore për shkak të ligjit të arsimit të lartë”, tha Krasniqi.

Sipas monitorimit të kryer, doli se 6 nga 7 universitete kanë shpenzuar zero lekë për shkencën dhe rreth 2 milionë euro për sigurinë e godinave, pasuri dhe kamera. Universiteti Politeknik i Tiranës kryeson me më shumë shpenzime të personelit dhe administratës, ku vetëm në 8 muaj ka paguar 100.000 euro dieta, 70.000 euro karburant dhe rreth 160.000 euro shpërblime dhe honorarë për stafin.

Comments are closed.