Nga prof.dr. Blerim REKA
Zonja dhe Zotërinj,
Pjesëmarrës të nderuar të Konferencës kushtuar 20-vjetorit të demonstratave studentore të 1 tetorit 1997,
Në kumtesën time do të përqendrohem në njërën nga 20 tezat bosht të kësaj konference: ndikimin e protestës së 1 tetorit në proceset politike 1997-1998. Studentët e Universitetit të Prishtinës ishin gjithnjë forca lëvizëse e kësaj shoqërie. Para njëzet vjetësh ata vazhduan traditën mosnënshtruese të paraardhësve të tyre të ’68-s e të ’81-shit. Sa herë që elita politike e Kosovës do të përgjumej në pafuqinë e saj, studentët e këtij universiteti do ta zgjonin atë, duke zgjuar edhe dhe vetëdijen kombëtare. Një tetori i vitit 1997 shënoi kthesën historike në periudhën e pushtimit serb të Kosovës, duke i ngritur studentët në një lëvizje aktive kundër regjimit të atëhershëm okupues. Studentët parandaluan marrëveshjen gjysmake të “Shën Egjidios”, e cila vetëm sa do ta zgjaste agoninë e Universitetit të Prishtinës dhe do ta përgjumte Kosovën në pafundësi. Jashtë rolit të saj për mbijetesën e Universitetit të Prishtinës, kontributi kyç i saj mbetet: dinamizimi i veprimit politik – përballë pushtuesit serb – dhe finalizimi i procesit të pandalshëm të dekolonizimit të Kosovës. Me fjalë të tjera, shikuar politikisht, kjo lëvizje studentore ishte ura lidhëse e dy skajeve, deri atëherë të papërputhshme politiko-ushtarake:
– partive politike (që preferonin rezistencën paqësore) dhe
– celulave të para të UÇK-së (që insistonin në kryengritjen çlirimtare).
Studentët, pra ishin agjenci i munguar që do udhëzonte dy polet e politikës shqiptare në Kosovë – duke e dinamizuar kështu lëvizjen për çlirim. Unë vetë do të jepja, po atë ditë, dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, në shenjë mospajtimi me mospërkrahjen e kësaj proteste nga partia ku isha, për t’iu bashkuar turmës protestuese në Velani. Andaj mund të flas për këtë ngjarje edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i saj. Pra, çfarë ishte Kosova: në prag, gjatë dhe pas kësaj proteste? Ato ditë Prishtina dhe Kosova jetonin për dhe me protestën e studentëve. Kjo shihej nga entuziazmi i vajzës sime, atëherë studente, që tregonte për përgatitjet dhe masivizimin absolut të studentëve të Universitetit të Prishtinës në prag të 1 tetorit. Ishin po këta studentë, që do t’ia hiqnin frikën popullit dhe mitin se armikut nuk mund t’i dilej përballë. Një tetori demitizoi fuqinë e regjimit të Millosheviqit dhe ngjalli shpresën për çlirim, në Kosovën e heshtur me dhunë për një dekadë. Ata e sfiduan heshtjen shqiptare, por edhe heshtjen e botës. Diplomatë dhe media ndërkombëtare sërish do riktheheshin në Kosovën e pushtuar dhe të harruar pas Dejtonit.
Më 1 tetor Kosova e kolonizuar dhe gati e zbrazur, do të rikthehej në agjendën ndërkombëtare. Pas kësaj proteste, Kosova nuk do të ishte e njëjtë si para saj. Studentët u imponuan atë ditë si lojtari i ri politik – pas:
– partive (që prisnin se ndryshimi do të vijë vetvetiu) dhe
– luftëtarëve (që prisnin një shkëndijë për ta bërë publik kumtin e luftës – ashtu siç edhe do ta bënin dy muaj më vonë në Drenicë).
Pos guximit, lëvizja studentore inauguroi edhe diçka që nuk njihej atëbotë – diplomacinë studentore. Diplomatët e huaj në Prishtinë tashmë kishin një adresë të re komunikimi – krerët e kësaj lëvizje – që rrëzuan klishetë e komunikimit shterp diplomatik me liderët partiakë të status quo-s. Ata kuptuan se pos elitës politike që preferonte pritjen, po krijohej një bërthamë e re e një lëvizje për ndryshime, që më nuk do të mund të ndalej. Kabllot e tyre diplomatike ato ditë do t’i njoftonin kryeqytetet botërore se pas 1 tetorit, Kosova nuk do të presë – e aq më pak – do të durojë më tej pushtimin serb. Kjo lëvizje studentore, pra dinamizoi tërë veprimin politik dhe ushtarak të Kosovës së para luftës. Sot me kumtesat tona është fare lehtë të flasim për këtë 20-vjetor. Por atëbotë, të prisje se një armatë studentore do t’i paraprinte një armate çlirimtare, ishte gati e paimagjinueshme. Diplomacia perëndimore e dinte situatën në Kosovë, por ajo nuk mund të vepronte për ndryshimin e saj – pa veprimin tonë brenda Kosovës. Ajo, pra, priste një forcë lëvizëse të brendshme për ta aktivizuar veprimin e jashtëm. Një dekadë pas pushtimit serb, nevojitej një forcë e brendshme që do ta sfidonte publikisht regjimin pushtues duke trazuar si elitën politike vendore, po ashtu edhe diplomacinë botërore. Ndikimi i lëvizjes studentore në dinamizimin politik të veprimit çlirimtar, mbetet prandaj i padiskutueshëm. Pa 1 tetorin e 1997-s nuk do të mund të shënonim as 20-vjetorin e saj. As Kosova dhjetëvjetorin e pavarësisë.
(Ky fjalim i profesor Blerim Rekës është lexuar në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore sot me rastin e 20-vjetorit të organizimit të protestave studentore të 1 Tetorit 1997)