Rreth 14 orë pas rrëzimit të helikopterit të pronarit të Leicester Cityt, Vichai Srivaddhanaprabha, Sky Sports News ka bërë të ditur se përveç tij, në helikopter ishin edhe vajza e pronarit, dy pilotë dhe një person i pestë, i cili ende nuk është identifikuar.
Rreth një orë pas përfundimit të ndeshjes mes Leicesterit dhe West Ham Unitedit, Srivaddhanaprabha ishte nisur nga stadiumi King Power me helikopterin e tij, megjithatë sapo e kishte kaluar stadiumin, helikopteri ishte rrëzuar në tokë, transmeton Gazeta Express.
Policia e Anglisë ende nuk i konfirmuar detajet e këtij incidenti, megjithatë Sky Sports News ka raportuar se Srivaddhanaprabha kishte qenë brenda helikopterit bashkë me vajzën e tij, dy pilotë dhe një person tjetër, për të cilin ende nuk dihet kush është.
Fotografi Ryan Brown kishte qenë në King Power Stadium për ta përcjellë ndeshjen. Ai i ka zbuluar për BBC detajet e këtij incidenti.
“E dëgjova helikopterin përderisa nisej. U ktheva dhe ai e bëri disa zhurma të çuditshme dhe pastaj të gjitha zhurmat ndaluan, helikopteri po sillej dhe kishte dalë jashtë kontrolli. Pastaj dëgjova një zhurmë të madhe dhe pashë zjarr”, ka thënë Brown.
“Shumë njerëz filluan të vrapojnë drejt vendit të ngjarjes. Ashtu bëra dhe unë dhe pasi e mora kthesën, pashë një zjarr të madh. Helikopteri u rrëzua shumë pranë stadiumit. Sapo e kishte kaluar stadiumin dhe ra në parkun industrial aty pranë”.