Sulmuesi holandez i Feyenoordit, Robin van Persie, ka bërë të ditur se planifikon të pensionohet nga futbollit në fund të këtij sezoni, pasi t’i ketë bërë 18 vjet duke luajtur si futbollist profesionist. 35-vjeçari është duke luajtur tani për klubin e tij të fëmijërisë, Feyenoordin, ku e kishte filluar karrierën para se të largohej në vitin 2004, kur u transferua në Arsenal, transmeton Gazeta Express. Van Persie i ka shënuar gjashtë gola në këtë sezon të Eredivisie për Feyenoordin, të cilët pozicionohen në vendin e tretë të kësaj lige, me dy pikë më pak se Ajaxi dhe plot shtatë pikë më pak se PSV-ja.
“Kur do të ndalem? Me siguri kjo gjë do të ndodhë në fund të këtij sezoni. Unë do t’i kem mbushur 36 vjet dhe do t’i kem bërë 18 vjet si futbollist profesionist. Që nga koha kur kam qenë 5-vjeçar, kam qenë i përfshirë në futboll”, ka thënë Van Persie.
Van Persie kishte luajtur për tetë sezone me Arsenalin, duke i shënuar 132 gola në 278 paraqitje. Megjithatë, ai ishte transferuar në Manchester United në vitin 2012, me të cilët kishte arritur ta fitonte titullin e parë të Premierligës në karrierën e tij.