Të martën e javës së ardhshme, VAR-i do të debutojë në Ligën e Kampionëve dhe për këtë arsye, UEFA e ka planifikuar një kurs mësimesh për 16 skuadrat që do të marrin pjesë në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Në këto leksione që UEFA do t’i mbajë për 16 klubet evropiane, do të sqarohet mënyra se si dhe në cilat raste do të përdoret kjo teknologji, në mënyrë që t’i shmangen paqartësive, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Në secilin stadium ku ndeshjet do të zhvillohet, do të ndërtohet një zonë e posaçme për VAR-in dhe gjyqtarët që punojnë me VAR-in, ndërsa në fushë do të vendosen dy transmetues të videos, në mënyrë që edhe gjyqtari kryesor i ndeshjes të ketë mundësi t’i shikojë pamjet e incidenteve.
Të gjithë gjyqtarët e caktuar për këto ndeshje duhet të kenë licencë për përdorimin e VAR-it dhe duhet të jenë përdorues të VAR-it edhe në ndeshjet vendore që i referojnë. Përmes këtyre kritereve, ndër të tjerë, janë të kualifikuar edhe dhjetë gjyqtarë spanjollë.
Zyrtari i referimit në UEFA, Roberto Rosetti, e sqaroi se VAR-i do të përdoret vetëm në rastet kur është bërë ndonjë gabim i qartë dhe që ndikon drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes, domethënë për gola të shënuar, penallti, kartonë të kuq dhe gabime në identifikimin e lojtarëve.
“Është shumë e rëndësishme ta sqarojmë si do të përdoret VAR dhe si jemi duke i përgatitur gjyqtarët për përdorimin e kësaj teknologjie. Është thelbësore që të gjithë ta kuptojnë kur mund të intervenojë kjo teknologji dhe kur jo”, ka thënë Rosetti.
VAR-i do të përdoret edhe në finalen e Evropa Ligës, finalen e Ligës së Kombeve dhe finalen e Kampionatin Evropian U-21, që do të mbahet në qershor.